Tri nënshkrime dhe plot interpretime. Është ky përfundimi për Platformën politike shqiptare pas deklaratave të subjekteve politike për të njëjtën, shkruan Portalb.mk.
“Deklarata është listë e dështimeve të partive të mëparshme dhe reflektim i partive të reja. Qëllimi i saj është që shqiptarët të bëhen shtetformues”, është shprehur kreu i koalicionit “Rilindje me Besë” Bilall Kasami në intervistën për televizionin 21.
“Ishte me rëndësi në fazë të parë të arrihet konsensusi brendashqiptar për këto tema si parakusht për hapjen e debatit shqiptaro-maqedonas që duhet të përfundon me mbyllje të të temave të cilat ashtu të hapura mbajnë peng vendin dhe gjithë qytetarët”, tha për Portalb zëdhënësi i Bashkimit Demokratik për Integrim Bujar Osmani.
“Unë preferoj t’u them kushte”, ishte decid në intervistën e tij Ziadin Sela, kryetari i LR-PDSH-së, pjesë e “Aleancës për Shqiptarët”.
Deklarata përmban nënshkrimet e BDI-së dhe koalicioneve “Aleanca për shqiptarët” dhe “Rilindje me Besë” që shënon pajtimin e protagonistëve politik shqiptarë rreth disa pikave të parashtruara në deklaratë, por retorikat ndryshe në interpretim ngjallin dyshime se Platforma po qëndron në këmbë të qelqta.