Vetëm pak orë pas arrestimit në Londër, prokurorët amerikanë kanë ngritur padi për konspiracion kundër themeluesit të uebfaqes “WikiLeaks”, Julian Assange, lidhur me rastin e përpjekjes për të siguruar qasje në një kompjuter të klasifikuar të Qeverisë amerikane në bashkëpunim me ish-analistin e Inteligjencës ushtarake, Chelse Manning, më 2010.
Assange, i cili të enjten u nxor nga Ambasada e Ekuadorit dhe u arrestua nga policia britanike, përballet me dënimin maksimal prej pesë vitesh burgim për akuzat amerikane, ka njoftuar Departamenti amerikan i Shtetit. Arrestimi i tij në Londër ka krijuar hapësirë për ekstradimin e tij të mundshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilën gjë themeluesi i “WikiLeaks” është munduar ta shmang me strehimin në Ambasadë, ka raportuar “Reuters”, transmeton “Koha Ditore”.
Padia ndaj Assanges është produkt i një hetimi të kahershëm për rastin që daton që nga koha e administratës së presidentit, Barack Obama. Hetimet u nisën si pasojë e publikimit në “WikiLeaks” të qindra e mijëra raporteve ushtarake amerikane rreth luftërave të vendit në Afganistan dhe Irak si dhe komunikimeve diplomatike amerikane.
Departamenti i Drejtësisë ka bërë të ditur se Assange (47) është arrestuar bazuar në Traktatin SHBA-Britani për ekstradime dhe e ka akuzuar atë për përfshirje në njërën prej aferave më të rënda të publikimit të sekreteve në gjithë historinë e SHBA-së.