Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Zona e Debatit të Klan Kosovës ka thënë se shqiptarët – Shqipëria dhe Kosova – janë bashkë për të promovuar paqen, por edhe për të mbrojtur integritetin territorial.
“Nëse serbët duan të hipin nëpër trena që i cojnë ata prapa në histori, por nuk i prekin asnjë fije floku Kosovës, ne nuk kemi c’u bëjmë”.
“Por nëse duan të cënojnë një centimetër të territorit tonë, jemi të gatshëm të përgjigjemi”.
Ai ka deklaruar se Kosovës nuk guxon t’i cënohet asnjë pjesë e territorit dhe se provokimet e Serbisë janë shpërfaqje e një ideologjie të prapambetur, njofton Klan Kosova.
“Praktikisht cështja e territorit të Kosovës është mbyllur ditën kur është firmosur pavarësia e saj. Të dy vendet tona janë vendosmërisht krahpërkrah për të promovuar paqen. Janë krahpërkrah edhe për të mbrojtur integritetin. Nuk ka shans që Kosova të cënohet qoftë edhe në një centimetër katror të territorit të saj. Ai mur nuk është se sfidon realisht sovranitetin e Kosovës. Është shfaqje brutale e një ideologjie shumë të prapambetur. Jam i bindur që pavarësisht si do të dalë në fund kjo histori, nuk është e tillë ku pala tjetër duket mirë”.
“Ne jemi në anën e duhur të historisë, dhe e duhura është ana e urës, jo e murit”.
Rama ka thënë se muri dhe provokimet e Serbisë janë për keqardhje dhe se shqiptarët nuk duhet të bien pre e tyre, por të vazhdojnë rrugën e tyre për të ndërtuar paqen, njofton Klan Kosova.
Kjo deklaratë e Edi Ramës, vjen pas asaj të ish-Kryeministrit Sali Berisha në emisionin FAKT në Syri.net që kërcënoi me luftë Serbinë nëse preket territori i Kosovës.