Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme lokale të pranverës 2023, qeveria qëndrore e Kryeministrit Edi Rama po u heq bashkive një nga kompetencat e derisotme, për t’i centralizuar në duart e veta.
Pas vendimit për të hequr menaxhimin e ujësjellësave nga bashkitë dhe për t’i centralizuar në një agjenci kombëtare, qeveria ka ndërmarrë një hap tjetër të centralizimit të investimeve nga pushteti lokal.
Ky centralizim pritet të realizohet përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i cili do të prokurojë lëndët e para dhe materialet e ndërtimit që do të nevojiten nga bashkitë për rikonstruksionin e infrastrukturës së qyteteve.
Burime për Panorama.al bëjnë me dije se Programi Operacional i FSHZH-së 2022-2028, parashikon vënien në dispozicion të pushtetit lokal të çdo lloj materiali ndërtimi të nevojshëm për infrastrukturën urbane. Termi “vënie në dispozicion” nënkupton centralizimin e çdo paraje që do të shkojë për kryerjen e investimeve infrastrukturore në 61 bashkitë e vendit.
Lëndët e para që pritet tu sigurohen bashkive nga FSHZH konsistojnë në materiale ndërtimi, elektrike, hidraulike, gjelbërimi dhe mobilimi urban. Më konkretisht tashmë edhe tullat, pusetat, stolat, blloqet e betonit, telat elektrikë, llambat, dhe fidanët e luleve do të centralizohen në një “dorë” të vetme.
Sipas Fondit Shqiptar të Zhvillimit pretendohet se ky centralizim bëhet me qëllim për të ndihmuar bashkitë të krijojnë një autonomi jo vetëm financiare, por edhe profesionale, si dhe për të rritur efiçencën në punët publike.
Një argument i cili vihet në pikëpyetje dhe nuk duket fort i qëndrueshëm. Ky centralizim i mëtejshëm i kompetencave të pushteti lokal është i dyti në radhë, pasi vetëm 24-orë më parë qeveria vendosi të kalojë 61 ujësjellësat e bashkive nën administrimin e AKUM./GSH



