Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut e ka dorëzuar mendimin në Gjykatën Supreme, njofton Portalb.mk.
Ndryshe, Gjykata Supreme e pret mendimin e Prokurorisë prej 25 nëntorit, kur për së pari herë ka ardhur lënda në këtë Gjykatë prej Apelit, ndërkaq më pas prej Supremes është dërguar në Prokurori për mendim.
Sipas burimeve të Portalb.mk, mendimi i Prokurorisë është që të konfirmohet vendimi i shkallës së dytë.
Sipas procedurës, lënda duhet t’i ndahet një gjykatësit i cili duhet të përgatisë referat për të njëjtën, ndërkaq më pas vijon seanca.
Më 6 shtator 2022, Gjykata e Apelit në Shkup u shpall vendimi për rastin “Monstra” dhe sipas të njëjtit, janë hedhur poshtë ankesat e të akuzuarve dhe njëkohësisht është miratuar vendimi i shkallës së parë, gjegjësisht Gjykatës Penale të Shkupit.
Sipas aktgjykimit të shkallës së parë, i shqiptuar më 23 shkurt 2021, për rastin “Monstra”, gjegjësisht vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, ashtu siç propozoi Prokuroria u shpallën fajtorë gjithsej 5 persona. Alil Demiri dhe Afrim Ismailloviq (të cilët janë në arrati në Kosovë) bashkë me Agim Ismailloviqin, u dënuan me burgim të përjetshëm për veprën “terrorizëm”, Fejzi Aziri u dënua me 15 vjet burg për “ndihmë”, ndërkaq Haki Aziri u dënua me 9 vjet burg, gjithashtu për “ndihmë”. I akuzuari Sami Luta u shpall i pafajshëm, pasi që Prokuroria e tërhoqi akuzën në mungesë të provave. Të dënuarit dhe familjarët e tyre e mohojnë përfshirjen e tyre në këtë ngjarje dhe akuzojnë funksionarë shtetërorë për inskenim.
Vrasja e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës ku mbetën të vrarë Filip Sllavkovski (18), Aleksandar Nаqevski (18), Cvetanço Acеvski (18), Kire Tërpkovski (20) dhe Borçe Stevkovski (45) ka ndodhur më 12 prill 2012-të dhe është njëri prej rasteve më makabre dhe më të mistershme që kanë ndodhur ndonjëherë në Maqedoninë e Veriut.