Pas përjashtimit nga gara deklarohet Hazir Borovci

Kryesia e LDK-së ka marrë vendim sot që t’i përjashtojë nga gara Hazir Borovcin e Arban Abrashin, të përmendur tashmë për kryetar të mundshëm të Degës së tretë në Prishtinë.

I pyetur nëse do ta pranojë vendimin e kryesisë Hazir Borovci, i cili aktualisht është kryetar i Degës së tretë të LDK-së në Prishtinë, ka thënë se gjatë ditës së nesërme do të takohet me kryesinë e degës dhe do të merret vendimi rreth kësaj çështjeje.

“Unë nuk veproj individualisht, kam kryesi të degës, mandej komisionin me të cilin kemi punuar gjatë këtij procesi të zgjedhjeve. Nesër e kam takimin, nesër bashkëbisedoj me kryesinë, me kolegët, dashamirët e degës dhe komisionit. Kështu që nuk po flas asgjë tash, mbetet në ditët në vijim”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

I pyetur rreth përplasjeve, të raportuara tashmë mes tij dhe grupacionit të Arban Abrashit, Borovci ka thënë se të gjitha do të sqarohen në ditët e ardhshme.

“Prapë po them që mbetet të flasim në ditët në vijim pas takimit me kryesinë e degës dhe komisionin me të cilin kemi punuar në vazhdimësi për të mirën e procesit, proces të cilin edhe e kemi përfunduar në nivel nëndegësh”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, ka thënë se LDK është një shtëpi e madhe në të cilën mund të ketë edhe përplasje e fjalosje.

“Në shtëpi të madhe mund të ketë edhe informime, edhe përplasje, edhe shtyrje, por për të gjitha këto do të flasim në ditët në vijim”, ka nënvizuar ai.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme është deklaruar edhe Arban Abrashi, i cili për përleshjet në LDK i ka fajësuar partitë e tjera.

“LDK-së i ka dalë situata prej dore. Këto përleshjet që po ndodhin nëpër degë dhe nëndegë unë i shoh si pasojë të garës shumë të ashpër për të qenë në kreun e LDK-së, respektivisht parapërgatitje për kuvendin qendror të LDK-së, si matje e fuqisë qysh në degë dhe nëndegë, për të krijuar fuqinë edhe në kuvendin qendror”, ka theksuar Abrashi.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme