Pas publikimit të fotografive, ende nuk janë identifikuar personat që sulmuan gazetarin Olluri

Personat që po dyshohen se e sulmuan fizikisht gazetarin Parim Olluri, nuk janë identifikuar ende, kjo është bërë e ditur për Express nga zyra e kryeprokurorit. Javën e kaluar fotografitë e të dyshuarve janë publikuar në media dhe të njëjtit po vazhdojnë të kërkohen nga Policia e Kosovës. Fotografitë e personave të dyshuar nuk i njeh as vetë Olluri përderisa pret që ata të identifikohen bashkë me urdhërdhënësit për të kryer këtë sulm.

 

Koordinatori nga zyra e Kryeprokurit për raportimin e rasteve të gazetarëve, Bashkim Zeqaj, në një bisedë për Gazetën Express ka thënë se personat që po dyshohet se e sulmuan drejtorin e gazetës online “Insajderi”, Parim Ollurin, nuk janë gjetur dhe ata po kërkohen nga Policia e Kosovës.

Zeqaj gjatë ditës së mërkurë tha për Express se Prokuroria ende nuk ka marrë ndonjë informatë se të dyshuarit janë gjetur. Ata po vazhdojnë të kërkohen.

“Në momentin kur ata gjenden ne do të hetojmë, në këtë kohë ne kemi autorizuar policinë që të gjenden të dyshuarit e këtij sulmi”, tha tutje Zeqaj.

Express ka kontaktuar edhe me drejtorin e “Insajderit”, Parim Olluri, i cili tha se edhe pasi i ka parë fotografitë e të dyshuarve nuk i njeh dhe se sulmin ndaj tij e lidh me punën si gazetar.

“Unë nuk i njoh personat që shihen në fotot e publikuara nga Policia e Kosovës. Nuk kam arritur t’i identifikoj personalisht”, tha Olluri.

Javën e kaluar, Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për të identifikuar dhe kapur autorët e sulmit ndaj Ollurit.

“Në bashkëpunim me prokurorinë përkatëse po kërkojmë përkrahjen e qytetarëve për identifikimin e personave të dyshuar”, theksoi Policia.

Tutje, Olluri tha se ka prej qytetarëve që janë lajmëruar edhe te ai edhe te policia për të dhënë emrat e të dyshuarve.

“Policia dhe prokuroria janë duke bërë verifikim e tyre. Shpresoj që shumë shpejt autoritetet do të marrin masat e duhura-arrestimin dhe dënimin e tyre”, tha ai.

Olluri beson se sulmi lidhet direkt me punën e tij si gazetar teksa përmend edhe sulmin ndaj kolegut të tij, Vehbi Kajtazi, sulmuesi i të cilit është liruar gjatë ditës së martë me kusht.

“Lirimi i tij është mesazh se sulmuesit nuk do të dënohen dhe kjo nxit sulme ndaj gazetarëve edhe në të ardhmen”, përfundoi ai.

Parim Olluri u sulmua fizikisht gjatë muajit gusht nga persona të panjohur përderisa ishte duke ecur në rrugën “Bajram Kelmendi” në Prishtinë. Për këtë ai ka pranuar edhe tretman mjekësor në QKU.

Sulmin ndaj tij e kanë dënuar figura të larta publike si dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. /Gazeta Express

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme