Pas ratifikimit të Demarkacionit, Hoxha tregon se kur mund të udhëtojmë lirshëm

Të enjten pritet që të qitet në votim marrëveshja për Demarkacionin në Parlamentin e Kosovës, dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u ka bërë thirrje partive politike për ta ratifikuar atë.Me ratifikimin e Demarkacionin do mundësohej edhe ecja përpara sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave.Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, duke theksuar se tani janë gjasat reale për kalimin e Demarkacionit, ka treguar edhe për procedurat në të cilat do kalojë Kosovë, që qytetarët e saj të lëvizin lirshëm në vendet Evropiane.
Në një intervistë për Indeksonline ajo ka treguar se menjëherë pas ratifikimit të Demarkacionit, do punohet për dorëzimin e raportit për përmbushjen e dy kritereve të fundit për liberalizimin e vizave.“Ta themi shprehimisht se tani janë gjasat reale që të ratifikohet Demarkacionit. Me ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit në Kuvendin e Kosovës, ne përmbyllim dhe na mundësohet dorëzimi i raportit për përmbushjen e të dy kushteve: edhe ratifikimit, por edhe luftën e vazhdueshme kundër krimit dhe korrupsionit. Një punë që ka pasur rezultate. Pra ky do të jetë një kriter që edhe kur të anëtarësohemi në BE ta luftojmë atë në vazhdimësi, sepse krimin dhe korrupsionin duhet ta luftojmë në vazhdimësi”, ka deklaruar Hoxha.Pas dorëzimit të raportit për përmbushjen e kritereve, sipas Hoxhës, pastaj mbetet procesi i vendimmarrjes nga institucionet e Bashkimit Evropian.Duke u bazuar në praktikat e vendeve tjera të Evropës Perëndimore që kanë gëzuar procesin e liberalizimit të vizave, sipas Hoxhës, procesi i vendimmarrjes merr prej 3 deri në 6 muaj.“Pas kësaj, hapi tjetër është të marrim hapin pozitiv dhe pastaj është çështja tek procesi i vendimmarrjes në institucionet e Bashkimit Evropian. Janë një sërë të nivele të vendimmarrjes, pra janë një sërë institucione të cilat duhet të marrin vendimmarrje. Dhe duke e parë dhe krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor të cilat tashmë gëzojnë procesin e liberalizimit të vizave, procesi i vendimmarrjes ka marrë kohë prej 3 deri në 6 muaj”, është shprehur ajo.Sipas saj, kur përfundon procesi i vendimmarrjes nga të gjitha institucionet, pastaj edhe caktohet data se kur hynë në efekt lëvizja e lirë.“Kjo është pjesa kur hynë në efekt. Kur kalon procesi i vendimmarrjes nga të gjitha institucionet, pastaj caktohet data se kur hynë në efekt lëvizja e lirë dhe zakonisht ka ndodhur brenda 3 apo 6 muaj prej kur janë plotësuar kushtet”, ka shtuar ajo më tej.Ndryshe, ajo ka thënë se po punojnë dhe po mundohen të hyjnë në agjendën e Këshilli Evropian, në muajin mars, kur edhe mbahet mbledhja e radhës.