Irakiani 26-vjeçar, Abdul Beset A., është arrestuar pas sulmit të autobusit në të cilin kanë qenë futbollistët e Borusia Dortmundit. Ai është i dyshuar për anëtarësim në DEASH.
Tash për tash nuk janë gjetur dëshmi se ai ka marrë pjesë në sulmin e së martës mbrëma. Në njoftimin e publikuar të enjten theksohet se personi i dyshuar iu bashkua DEASH-it në Irak në fund të vitit 2014 dhe se ka udhëhequr një njësit prej dhjetë ushtarëve, i cili ka qenë i përfshirë për përgatitjen e rrëmbimeve, zhvatjeve dhe vrasjeve.
Prokuroria thekson se Abdul Beset A. mbiemri i të cilit nuk është publikuar për shkak të ligjit gjerman për privatësinë, mbeti në kontakt me pjesëtarët e DEASH-it pas ardhjes në Gjermani në fillim të vitit 2016. Brenda ditës gjykatësi do të vendosë nëse do të mbahet në paraburgim.