Një tjetër Fake News u përhap masivisht në rrjetet sociale në Shqipëri, duke përhapur panik të rremë.
Bëhej fjalë për ilaçin paracetamol. Mjaft të përdorur nga shqiptarët, dhe specifikisht paracetamol P/500 nga firma Apex. Sipas njoftimit të rremë të shpërndarë në formë lajmi dhe fotoje nga faqe të ndryshme në internet, thuhej se ky lloj paracetamoli nuk duhej konsumuar më, pasi ishte virus. Ky lajm i rremë, duke parë përhapjen e frikshme që ai mori, por edhe frikën e krijuar tek qytetarët, solli edhe reagimin zyrtar të Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore. Sipas një njoftimi, theksohet se asgjë e vërtetë nuk qëndron pas këtij lajmi të rremë.
“Asgjë të vërtetë nuk ka mbi gjoja “rrezikun” që vjen nga përdorimi i paracetamolit. Dhe përkatësisht Paracetamolit P500 të firmës Apex i cili nuk qarkullon në tregun tonë! Postimi që është bërë viral në rrjetet sociale është thjeshtë “Fake News”!”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Ndërkohë, edhe nëse ky lajm do të ishte i vërtetë (çka nuk qëndron), lajmi akoma dhe më i mirë për Shqipërinë, është se ky paracetamol nuk qarkullon fare ne tregun vendas.
Por cili ishte mesazhi që u bë viral?
“Kini kujdes dhe mos e përdorni paracetamolin në të cilin shkruhet P / 500. Ky është një paracetmol i ri, me një ngjyrë shumë të bardhë dhe të shndritshme, për të cilin doktorët kanë dëshmuar se e përmban virusin ‘Machupo’, i cili konsiderohet si njëri nga viruset më të rrezikshme në botë me një shkallë të lartë të vdekjes,” thuhet në postimin e përhapur në Facebook.
Ndërkohë edhe Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë tha në një reagim se nuk i duhet besuar këtij lajmi që është përhapur.
Vetëm pak kohë më parë në Shqipëri u përhap një Fake News, sic ishte ai për ndarjen nga jeta të Nexhmije Hoxhës, bashkëshortes së idsh-diktatorit Enver Hoxha,. Por e gjitha rezultoi e rremë, pasi Nexhmije Hoxha gëzon shëndet.