45 deputetë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe partive aleate opozitare i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar shfuqizimin e ndryshimeve të njëanshme sipas tyre të bëra nga maxhoranca në Rregulloren e Kuvendit, si dhe pezullimin e këtyre amendimeve deri në dhënien e një vendimi përfundimtar nga togat e zeza.
Kjo dispozitë sqarohet në padi nënkupton pezullimin e deputetit nga detyra, ç’ka është masë ndaluese që jepet nga gjykata në kuadër të një procesi penal, por edhe në atë rast, pezullimi i deputetit është i ndaluar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale.
Në kërkesën e saj opozita thotë se ndryshimet e rregullores cenojnë parimin e shtetit të së drejtës dhe hierarkisë së normave, parashikuar nga neni 81 i Kushtetutës, pasi ato vijnë në kundërshtim me Kodin e Procedurave Administrative dhe Kodin e Procedurës Penale.
45 deputetët e opozitës argumentojnë se amendimi i rregullores së Kuvendit nuk ndalon vetëm ushtrimin e funksioneve të caktuara të deputetit, por lë pa përfaqësim qytetarët që kanë zgjedhur deputetin subjekt i masave disiplinore, në shkelje flagrante me nenin 71 të Kushtetutës.
Gjithashtu ata thonë se ndryshimet shkelin kriteret e përcaktuara nga neni 17 i Kushtetutës sa i përket kufizimit të të drejtave, e më konkretisht kriterin e ligjshmërisë, interesit publik dhe proporcionalitetit.
Deputetët firmëtarë shtojnë se këto ndryshime nuk janë frymëzuar nga asnjë interes publik apo qytetar, por vetëm nga interesi politik për të shuar zërin e deputetëve opozitarë dhe se ato janë bërë pa konsensus dhe në shkelje të afatit, pasi u futën me procedurë të përshpejtuar për miratim në kuvend në seancën e të enjtes.
Tv Klan