PDK s’e voton Buxhetin siç e ka propozuar Avdullah Hoti – kërkon ndryshime në shumë fusha

Përplasja e parë serioze mes PDK’së e LDK’së pritet të ndodhë për shkak se s’po pajtohen me formën se si është propozuar buxheti prej Avdullah Hoti. Partneri i madh ka bërë vërejtje se kuleta e Shtetit për vitin e ardhshëm është planifikuar keq në shumë fusha. Kryetarja e Komisionit për Buxhet e Financa, Safete Hadërgjonaj ka thënë se presin të reflektojë LDK’ja. Në të kundërtën thotë se deputetët e PDK’së do të votojnë kundër buxhetit. Nëse ndodh një gjë e tillë vendi shkon në zgjedhje

Projektet e prezantuara nga projektbuxheti i propozuar nga  Ministri i Financave nga radhët e LDK’së, Avdullah Hoti nuk kanë gjetur përkrahje te partneri i madh i koalicionit, PDK. Deputetët e kësaj të fundit kanë vërejtje në projektet e prezantuara në arsim, shëndetësi, infrastrukturë e kulturë.

Deputetja e PDK’së, Safete Hadërgjonaj thotë se nëse këto vërejtje nuk merren parasysh nga hartuesit e buxhetit atëherë vota e partisë kryesore në Qeveri do të jetë kundër buxhetit të vitit 2017.

Megjithëkëtë, ajo thotë se beson në përmirësimin e strukturës buxhetore deri te nxjerrja e projektligjit për lexim të parë në Parlament.

“Kështu si është nuk votohet sepse duhet të përmirësohet”, tha Hadërgjonaj të dielën për Gazetën Express.

Më tej Hadërgjonaj u shpreh se ky buxhet ka shqetësime të natyrave të ndryshme, si: projekte që kanë të bëjnë me përmirësimin e infrastrukturës në shkolla, projekte në arsim,  shëndetësi dhe çështje të tjera, për këtë arsye anëtarët e këtij komisioni kanë kërkuar që t’i rishikojnë edhe njëherë dhe t’i përmirësojmë.

“Ne jemi duke diskutuar me partinë e koalicionit po du me besu që do të harmonizohemi pa dal buxheti në votim në Kuvend, nëse do të harmonizohemi kuptohet se buxheti do të kalojë edhe me votën e Partisë Demokratike”, tha Hadërgjonaj të dielën për Gazetën Express.

“ Unë kam bindjen se partneri i koalicionit meqenëse jemi në konsultime me ta jemi në përfundim të një shqyrtimi të të gjitha kërkesave dhe po besoj shumë që do të hasim në mirëkuptim dhe do t’i plotësojmë të gjitha ato shqetësime që janë ngrit nga deputetët GP të Partisë Demokratike por edhe nga deputetët e tjerë”, tha Hadërgjonaj për Gazetën Express.

Për të kaluar Ligji për Buxhetin duhen votat e gjysmës së deputetëve të Parlamentit. Nëse dështon miratimi i buxhetit, atëherë, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Buxheti për sivjet është propozuar të jetë 2 miliardë, më i madhi prej pasluftës, ndërsa, planifikohet të shkojë në 3 miliardë me rishikim në qershor të vitit të ardhshëm, kur pritet të përdoren edhe një pjesë e mjeteve të privatizimit.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme