PE nesër voton për liberalizimin e vizave për Kosovën

Parlamenti Evropian më 13 shtator do të votojë rekomandimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, bënë të ditur përmes një njoftimi Komiteti për liritë qytetare, drejtësi dhe çështje të brendshme (LIBE) i Parlamentit Evropian.

Pas këtij votimi, do të konfirmohet mandati për fillimin e bisedimeve me vendet anëtare të BE-së, në mënyrë që Kosovës t’i liberalizohen vizat.

Bisedimet në emër të Parlamentit Evropian do t’i udhëheqë, Tanja Fajon, raportuese për vizat e Parlamentit.

Votimi në Parlamentin Evropian ishte paraparë për muajt e ardhshëm por sipas njoftimit të komitetit LIBE “disa grupe parlamentare në Parlament kanë kërkuar që votimi të ndodhë në sesionin e shtatorit”.

Për liberalizimin e vizave është e domosdoshme që pajtimin ta japin edhe dy institucione kyçe të BE-së: Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Ministrave të brendshëm të vendeve anëtare.

Të mërkurën kur raportuesja për vizat e merr mandatin për fillimin e bisedimeve me Këshillin e Bashkimit Evropian, procesi kalon në nivelin e grupeve punuese.

Radio Evropa e Lirë mëson se takimi i parë i grupit punues do të mbahet më 17 shtator.

Pasi që të përafrohen bisedimet në kuadër të grupit punues, pastaj çështja kalon në nivel të ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian, të cilët vendosin për këtë përmes votimit me një shumicë të kualifikuar.

Komisioni Evropian më 18 korrik të këtij viti, vendosi se Kosova i ka përmbushur gjitha kriteret dhe i rekomandoi Bashkimi Evropian të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën e Shengenit.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme