Pedagogët, të cilët zhvilluan një protestë para Fakultetit të Shkencave të Natyrës, kanë paralajmëruar protestë tjetër më 5 tetor nëse nuk u rriten pagat.
Një nga pedagogët u shpreh se që prej 18 vitesh nuk u janë rritur pagat, ndërsa ka hedhur akuza ndaj qeverisë, e cila u ka hequr projektet për shkak të korrupsionit.
Arsimtarët kërkojnë në veçanti rishikimin e pagës së tyre. Sipas tyre, prej vitit 2004 për këtë kategori nuk janë rritur pagat dhe as janë indeksuar sipas inflacionit. Ata kërkojnë edhe rritje të buxhetit për kërkimin shkencor, si dhe rritje të pagës për orët suplementare.
Sipas profesorit të Biologjisë Aleko Miho, protesta vjen për të kërkuar në veçanti dinjitetin për një kategori të harruar, por tejet të rëndësishme për shoqërinë.
“Duam një pagë dinjitoze, në linjë me kohën. E kuptojmë që situata është e vështirë për të gjithë, por ne po punojmë dhe përfaqësojmë elitën, por jemi lënë në harresë. Stafi i ndihmësve akademik po fillon të refuzojë punën, dhe ikin sepse nuk janë të motivuar, kur nga ana tjetër kërkohet mësim cilësor. Nuk do të doja kurrë të arrinim këtu, por le të jetë ky një sinjal”, thotë profesori.
© SYRI.net