Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, sot ka qëndruar për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës, ku ka realizuar takime me krerët e lartë shtetërorë.
Pas takimit me homologen Vjosa Osmani, në konferencën e përbashkët për shtyp, Pendarovski theksoi marrëdhëniet e mira me Kosovën, duke thënë se është e natyrshme që këta dy shtete të bashkëpunojnë mes vete.
Pendarovski tha se në takimin me Vjosa Osmanin kishin dialog pozitiv, duke shtuar se janë të përkushtuar që ta avancojnë atë.
“Bashkëpunimi rajonal është shumë i rëndësishëm dhe jemi të gatshëm që të vazhdojmë të kontribuojmë aktivisht që të kemi një rajon të zhvilluar infrastrukturor dhe me prosperitet ekonomik dhe e mbështesim aderimin e Kosovës në iniciativat dhe forumet rajonale”, deklaroi Pendarovski, duke shtuar se me presidenten Osmani kanë biseduar edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe tha se është i vetëdijshëm se ky proces është shumë i komplikuar, por se vendi i tij është përkrahës i fuqishëm i zgjidhjes përmes dialogut.
“Besoj të gjithë njerëzit me vullnet të mirë në rajon dhe më gjerë ta mbështesin do ta mbështesin zgjidhjen e kontekstit. Republika e Maqedonisë së Veriut e mbështet një zgjidhje të përbashkët reciprocikisht që do të kontribuojë për stabilitetin rajonal dhe që nuk do ta rrezikojë sigurinë e shteteve fqinje”, u shpreh Pendarovski.
Nga ana tjetër, presidentja Osmani tha se Kosova dhe rajoni ende ballafaqohet me rreziqe të mëdha në fushën e sigurisë për shkak të tendencave destabilizuese të Rusisë nëpërmjet Serbisë.