Pensionimi i Dobrilla Kacarskës përplas anëtarët e Këshillit Gjyqësor

Gazetar: Suad Bajrami

Kryetarja e Këshillit Gjyqësor (KGJ) Vesna Dameva, letrën me të cilën njoftoi Kuvendin për pensionimin e gjykatëses kushtetuese Dobrilla Kacarska e ka dërguar pa pëlqimin e të gjithë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor. Këtë e thotë, anëtarja e Këshillit Gjyqësor, Lloreta Georgieva në një dokument të 5 korrikut të këtij viti, ku pas informatave në media, i ka shkruar letër kryetares së Këshillit Dameva. Ne letër, Georgieva thekson se ajo dhe disa gjykatës të tjerë nuk pajtohen që të njoftohet Kuvendi.

“Në kolegjiumin e 02.07.2024 disa kolegë, anëtarë të Këshillit, përfshirë dhe mua, qartë dhe pa mëdyshje u deklaruam se nuk pajtohemi me atë që e kërkoni nga ne dhe se Këshilli nuk ka kompetencë të tillë, se mandati i gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese të RMV-së është i rregulluar dhe garantuar me Kushtetutë, ashtu edhe kushtet për pensionimin e tyre dhe nuk pajtohemi me dorëzimin e njoftimit të tillë”, thuhet në letrën e anëtares së Këshillit Gjyqësor, Lloreta Georgieva.

Me tej, në letër Georgieva ia rikujton Damevës se në kërkesën e saj për votim, katër prej anëtarëve nuk kanë votuar fare pasi që nuk është kompetencë e tyre.

“Unë personalisht u deklarova se nuk do të pranoj të fshiheni prapa nesh në zbatimin e asaj që e kemi menduar dhe se çfarëdo që vlerësoni të bëni, e bëni në emrin tuaj dhe me nënshkrimin tuaj si kryetar, ndërkaq unë dhe një pjesë e kolegëve me të njëjtin mendim nuk do të jemi pjesë e saj”, thuhet në letrën e anëtares së Këshillit Gjyqësor, Lloreta Georgieva.

Në fund të letrës, Gorgieva thekson që Këshilli Gjyqësor vendime miraton në seanca dhe jo në kolegjiume, të cilat nuk filmohen dhe nuk mbahet proces verbal. Anëtarja e Këshillit, kërkon që në ueb-faqen e Këshillit të publikohet se vendimi për dërgimin e njoftimit nuk është dërguar me mbështetjen e të gjithë anëtarëve.

Alsat kërkoi qëndrim nga kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, në lidhje me çështjet e theksuara në letër, megjithatë ajo ishte e vendosur që të mos deklarohet për rastin, duke insistuar çdo komenti saj, do të llogaritej si ndikim në procedurë.

Ajo nuk pranoi të komentonte as edhe konkluzën e djeshme të Gjykatës Kushtetuese, ku kolegët e Kacarskës i dolën në mbrojtje duke theksuar se organet shtetërore nuk kanë të drejtë të vendosin për pensionimin e gjykatëses kushtetuese Dobrilla Kacarska.

Në pyetjen e gazetarit të Alsat për qëllimin e konkluzionit dhe ndikimin eventual politik në këtë çështje, kreu i Kushtetueses Darko Kostadinovski u përgjigj sot shkurt se përveç konkluzës së djeshme, asgjë nuk ka çfarë të shtojë.

Ndryshe, Kacarska para se të bëhet gjykatëse kushtetuese ka ushtruar detyrën e gjykatëses në Gjykatën Penale të Shkupit. Ajo ka punuar në lëndën Tanku, në të cilën i dënoi me burg ish kryeministrin Nikolla Gruevski dhe ministren e Brendshme, Gordana Jankullovska. Kacarska, gjithashtu i dënoi edhe të akuzuarit për sulmin në Kuvend më 27 prill të vitit 2017.

VMRO-DPMNE-ja derisa ishte në opozitë ishte kritikuese e ashpër e Kacarskës. Sipas tyre, Kacarska është e afërt me LSDM-në, ndërkaq është bërë gjykatëse kushtetuese, si shpërblim për aktgjykimet e shqiptuara kundër funksionarëve dhe pjesëtarëve të VMRO-DPMNE-së. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme