Gjatë tre vjetëve të fundit në emër të akcizës në duhan shteti ka inkasuar mbi 300 milionë euro, e derisa vlera e duhanit të importuar gjatë këtyre tre vjetëve të fundit ka qenë rreth 150 milionë euro, shkruan sot Gazeta “Zëri“
Vetëm gjatë 10 muajve të parë të këtij buxheti Kosova në emër të akcizës në cigare ka arritur t’i inkasojë hiç më pak se 98 milionë euro.
Duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Doganës së Kosovës, shihet se gjatë vitit 2016 nga akciza në cigare shteti ka krijuar të hyra prej 124 milionë eurosh, derisa në vitin 2015 në emër të akcizës në cigare janë inkasuar hiç më pak se 102 milionë euro.
Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, tregon për gazetën “Zëri” se nga fillimi i këtij viti e deri më tash në Kosovë kanë hyrë mbi 2200 tonë duhan.
Ai bën të ditur se në vitin 2016 në Kosovë kanë hyrë mbi 3000 tonë duhan, derisa në vitin 2015 kanë hyrë mbi 2800 tonë duhan.
Sipas tij, në vitin 2015 vlera e duhanit të importuar ka kapur vlerën prej 54 milionë eurosh, gjatë vitit 2016 vlera e duhanit të importuar ka pasur vlerë prej 58 milionë eurosh, derisa sivjet vlera e duhanit të importuar ka kapur vlerën prej 49 milionë eurosh.