Në rajonin e Anamoravës në më pak se dy muaj janë raportuar shtatë raste të operimit me para të falsifikuara.
Në Policinë Rajonale të Gjilanit kanë bërë të ditur se vjet janë evidencuar 45 raste. Janë arrestuar tre persona, teksa janë konfiskuar 19 mijë e 200 euro para që dyshohet se janë të falsifikuara, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë Rajonale në Gjilan, ka deklaruar se viktima të krimit janë qytetarët, të cilët në të shumtën e rasteve zbulojnë se kanë në dorë para të falsifikuara gjatë transaksioneve që bëjnë ata. Ai thotë se zbulushmeria e këtyre rasteve bëhet vetëm atëherë kur goditen grupet të cilat merren me këtë veprimtari.
“Këto raste janë raportuar në Polici, domethënë 45 raste. Shembull, një qytetar shkon t’i deponojë 500 euro në bankë dhe nuk ka njohuri se në atë shumë të parave gjenden 100 euro të falsifikuara dhe automati i bankës ia kthen ato si negative. Normalisht se edhe ne atë qytetar e trajtojmë si të dyshuar, sepse paratë janë gjetur tek ai. Dhe se bëhen hetimet për këto raste, mirëpo zakonisht janë qytetarët viktima të këtyre krimeve. Zakonisht paratë që janë të falsifikuara dhe qarkullojnë në treg në shumicën e rasteve janë 50 euro dhe 100 euro”, thotë Hashani.