Për dy muaj, në vend kanë ndodhur shtatë vrasje të rënda dhe një vetëvrasje. Të vdekur kanë mbetur tetë persona. Djali i vogël i familjes Hadri po kërkohet për vrasjen e prindërve, derisa në Gjilan, vajza e vetme e familjes dyshohet se i ka vrarë prindërit, vëllezërit dhe më pas veten. Ndërkohë, të enjten ka ndodhur edhe një vrasje në Pejë, por që ende nuk dihet se nga kush është kryer. Express iu sjell detaje rreth këtyre rasteve.
Pushimet e këtij viti ishin të fundit për Durim e Suada Hadrin, që jetonin e punonin në Suedi tash e sa vite.
Vetëm dy ditë pas ardhjes në Kosovë, çifti bashkëshortor u qëllua për vdekje me armë zjarri, në shtëpinë e tyre në Ortakoll të Prizrenit.
Afër trupave të tyre u gjetën dhe u konfiskuan një pistoletë me pesë fishekë, një kuti me 49 fishekë dhe dy gëzhoja.
Por, se kush e kreu vrasjen dhe se cili ishte motivi, ende nuk po dihet.
I vetmi detaj që dihet deri tani është se çifti jetonin me djalin e tyre të vogël, A.H, i cili është në kërkim nga Policia e Kosovës.
Sipas informatave të policisë, ai dyshohet se ka kaluar kufirin me Maqedoninë e Veriut dhe ka shkuar në Greqi. Deri tash, nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e saktë të tij.
“Prokuroria është në kërkim të personit në fjalë dhe në momentin që organet e ndjekjes arrijnë ta sigurojnë prezencën e tij, atëherë do të veprojë konform dispozitave ligjore deri në vërtetimin e plotë të gjendjes faktike dhe sqarimit të të gjitha rrethanave të cilat janë relevante mbi zbardhjen e këtij rasti”, kanë deklaruar nga Prokuroria e Prizrenit për Express, ditë më parë.
Vrasja e çiftit që jetonte në Stokholm dhe kishte shtetësi suedeze, ishte bërë lajm në mediat e këtij shteti.
Policia suedeze ka thënë se është e përfshirë në hetime.
“Siç ndodh zakonisht për ngjarje që ndodhin jashtë vendit, janë autoritetet lokale që merren me hetimet paraprake. Policia suedeze është duke ndihmuar në këtë rast”, kishte deklaruar zëdhënësja Nadia Jaber.
Por, kjo nuk është vrasja e vetme që ka ndodhur gjatë këtij viti në vend.
Kosova u trondit edhe nga një vrasje e shumëfishtë që ndodhi më 18 shkurt në Gjilan.
Mëngjesin e asaj dite një familje e tërë u shua në Gjilan. Zeqir, Hanife, Blerim, Fisnik e Valdete Bllaca u gjetën pa shenja jete në ambientet e shtëpisë së tyre në lagjen “Bojanina”. Vrasja dyshohet se u krye nga e bija e vetme e kësaj familje, e cila më pastaj bëri vetëvrasje.
Sipas Prokurorisë Themelore të Gjilanit, ajo dyshohet t’i ketë kryer vrasjet para orës 08:00 të mëngjesit.
Zëdhënësja kësaj prokurorie, Liridona Xheladini ka deklaruar se zyrtarja policore Valdete Bllaca dyshohet se i kishte vrarë prindërit dhe dy vëllezërit në ora 7 e 40 në mëngjes, derisa jetës së saj i kishte dhënë fund tek pas katër orësh.
“Bazuar në kërkesën tuaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim me policinë e Kosovës është duke hetuar rastin, në të cilin dyshohet se zyrtarja policore, tani e ndjera V.B., në orët e para të mëngjesit rreth orës 7:40 minuta, të datës 18 shkurt 2020, me armë zjarri fillimisht kishte vrarë katër anëtarët e familjes së saj, kurse dyshohet se rreth orës 12:50 minuta, me të njëjtën armë kishte kryer aktin e vetëvrasjes”, ka thënë Xheladini për Express.
Xheladini ka konfirmuar edhe raportimet se e ndjera kishte pranuar tretman mjekësor, disa muaj para se të kryente vrasjen e shumëfishtë.
Por, ende askush nuk po e di se si arma zyrtare ka mundur që të përfundojë në dorën e Valdete Ballcës, meqenëse i ishte marrë muaj më parë.
Ajo dyshohet se e ka tërhequr atë nga kasaforta ku ishte e vendosur në stacionin policor.
Për këtë rast, deri tani janë suspenduar katër zyrtarë policorë, me arsyetim se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare.
Zyrtarët e suspenduar janë; komandanti i stacionit policor, zëvendës komandanti policor, shefi i operativë të stacionit policor dhe një zyrtar i stafit civil.
Emrat e të suspenduarve janë Alban Ramushi – komandant, Naser Rrahmani – zëvendës komandant, Negovan Mihaljovic dhe Xhavit Azizi. Ndryshe, Valdetja kishte qenë pjesë e Policisë së Kosovës për 18 vite.Ajo fillimisht kishte punuar në Qendrën e Thirrjeve në Prishtinë për t’u transferuar më pas në Gjilan.
Gjatë këtij muaji ndodhi edhe një vrasje tjetër. I vrarë mbeti ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qerim Kelmendi. Ai fillimisht u ekzekutua, e më pas trupi iu dogj në veturën e tij.
Varrimi i tij do të bëhet sot në orën 15:00 në Kompleksin Memorial në Gllogjan.
Por, se kush e kreu vrasjen dhe se cili ishte motivi, ende askush nuk po e di sigurt, ndonëse familjarët kanë drejtuar gishtin nga shërbimet sekrete serbe.
Në Prokurorinë Themelore të Pejës thonë se po punojnë që t’i zbardhin të gjitha rrethanat e këtij rasti.
Zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi, i ka thënë Gazetës Express se po punojnë bashkë me policinë për rastin.
“Prokurori i shtetit ne koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, në mënyrë intensive janë duke ndërmarrë masa hetimore për t’i zbardhur të gjitha rrethanat e këtij rasti”, ka thënë zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi për Express.
I pyetur nëse ka ndonjë të dyshuar për këtë rast ose nëse është intervistuar ndonjë person, Nikçi ka thënë se nuk mund të japin më shumë informata në këtë fazë për shkak të hetimeve.
Lidhur me rastin është deklaruar edhe vëllau i Qerimit, Ibrahimi, i cili ka drejtuar gishtin ka shërbimet sekrete serbe për vrasjen e të vëllait.
Ish-udhëheqësi i Lëvizjes Popullore të Kosovës, Ibrahim Kelmendi, i ka thënë Gazetës Express se dyshon që prapa vrasjes së vëllait të tij qëndrojnë vrasës mercenarë, apo profesionistë të BIA-s serbe, që thotë se këtë e kanë bërë për të ndezur edhe më shumë armiqësimin mes krahut të luftës dhe atij të paqes.
“Dyshoj në vrasës mercenarë apo profesionistë të BIA-s së Serbisë, e cila duhet të ketë shfrytëzua rastin e debatit dhe grindjeve për “vrasjet politike”, për ta ndez edhe më shumë armiqësimin mes “krahëve” të luftë dhe pacifist.
Sa herë që nxiten grindje e debate, BIA shfrytëzon rastin të bëjë vrasje, për ta armiqësuar sa më shumë ambientin mes shqiptarëve”, ka thënë Kelmendi për Express.
E vetëm pak orë para se policia të gjente veturën e djegur të Qerim Kelmendit, ky i fundit përmes dy shkrimeve në rrjete sociale i kishte dalë në krah, nënkryetarit të organizatës së veteranëve të luftës, Nasim Haradinajt, që në një intervistë në Televizionin T7, e quajti tradhtar ish-presidentin Ibrahim Rugova.
Detaje rreth këtij rasti ka dhënë dje Policia Rajonale e Pejës përmes një komunikate drejtuar mediave.
Sipas Policisë, fillimisht ishte lajmëruar për një veturë të djegur, në fshatin Zahaq të Pejës. Por, gjatë kohës derisa zjarrfikësit ishin duke lokalizuar zjarrin në brendësi të veturës është vërejtur një person (viktimë mashkull) trup i karbonizuar.
“Gjatë kohës derisa zjarrfikësit ishin duke lokalizuar zjarrin në brendësi të veturës është vërejtur një person (viktimë mashkull) trup i karbonizuar. Vendit të ngjarjes i janë përgjigjur njësitet relevante të sektorit rajonal të hetimeve, njësiti K9, si dhe prokurori i shtetit dhe ekipi mjekësor, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës. Gjatë shikimit të vendit të ngjarjes është konstatuar se vetura e djegur është e tipit VË Passat me targa vendore”, thuhet në komunikatë.
Për vrasjen e ish-pjesëtarit të UÇK’së, kanë reaguar edhe Presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Albin Kurti dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj.
Ndryshe, bazuar në statistikat e Policisë së Kosovës, gjatë vitit të kaluar në vend kanë ndodhur 17 vrasje, 10 prej të cilave kanë qenë vrasje të rënda. Shumica e tyre janë kryer në Prishtinë e Prizren.