Kryeministri Isa Mustafa e ka quajtur njërin prej ligjeve më të mira të Kuvendit të Kosovës atë që u miratua dje për Trepçën.
Ka thënë se Kosova ende nuk e ka përfunduar punën me shtetndërtim, e ka thënë se për një gjë të tillë nevojitet një bashkëpunim dhe unitet më i lartë për tema që janë në interes të të gjithëve.
“Dje kaluam një ditë të rëndësishme, destinuar Trepçës dhe ardhmërisë së saj. Aprovuam një ndër ligjet më të mira në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Ligjin e Trepçës. Trepça na bashkoi të gjithëve, ata që e përkrahën, por edhe ata që nuk e përkrahën ligjin”, ka thënë Mustafa, përcjell Koha.net. “Një kontribut shumë të mbarë e dhanë edhe deputetët e AAK-së dhe të Nismës. Aty ishin edhe deputetët e Listës Serbe, të cilët e shfrytëzuan të drejtën e tyre të prezantojnë qëndrimet për Ligjin në një proces demokratik”.
Mustafa ka thënë se e përgëzon Kuvendin, “i cili pas 17 viteve pas çlirimit arriti, që së bashku me Qeverinë, t’i japë drejtimin e duhur zhvillimit të Trepçës”.
“Akoma nuk i kemi përfunduar të gjitha punët e shtetndërtimit tonë, prandaj na nevojitet një bashkëpunim dhe unitet më i lartë për tema që janë në interes të të gjithëve”.