Java e kaluar u karakterizua me një vizitë të rëndësishme në Kosovë, ajo e zëvendës – ndihmës sekretarit të SHBA’së, Mathew Palmer. Përveç vizitës së rëndësishme, të rëndësishme duket se ishin edhe mesazhet që dha zyrtari i lartë amerikan, e njëra nga to ishte që: për Washingtonin dhe Brukselin, Hashim Thaçi mbetet njeriu kyç për ta udhëhequr dialogun.
Në Shkupin e ‘qetësuar’ pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese që i hapin Maqedonisë rrugën euro-atlanike, Mathew Palmer nuk kishte ‘shumë punë’. Ai vetëm përgëzoi politikën në Maqedoni për veprimet e fundit.
Serbisë dhe Kosovës, Palmer ua solli një porosi: rëndësinë e vazhdimit të dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje.
Rreth takimit të tij me Vuçiq, mediat i dhanë më shumë jehonë deklaratës së tij për ushtrinë e Kosovës, që Amerika është pro themelimit të saj – deklarata që Palmer i dha pikërisht në Beograd. Duke qenë se Vuçiq nuk është në tehun e kritikave të politikës serbe si një figurë kontestuese për udhëheqjen e dialogut me Kosovën, Palmer atje (në Serbi), pra foli vetëm për ‘rëndësinë e vazhdimit të dialogut dhe marrëveshjes me Kosovën’.
Por kur erdhi në Kosovë, Palmer kreu ‘një detyrë tjetër’. Burime të Periskopit brenda takimit të Palmer me pozitën dhe opozitën në Kosovë, thonë se zyrtari amerikan ua ka bërë të qartë se ‘Hashim Thaçi mbetet njeriu kyç për perëndimin për të udhëhequr bisedimet me Serbinë’.
Kështu i kanë thënë Periskopit burime brenda takimit ku kanë qenë të pranishëm emra të pozitës dhe opozitës si Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Agim Veliu i LDK’së, Albin Kurti, Visar Ymeri, Behgjet Pacolli, Jakup Krasniqi dhe Mimoza – Kusari Lila.
Sipas burimeve, Palmer u ka thënë atyre në takim se ‘emri i Thaçit është ai që rekomandohet për udhëheqjen e bisedimeve nga Federica Mogherini dhe BE’ja, andaj Shtetet e Bashkuara të Amerikës besojnë në Bashkimin Evropian”.
Kështu citohet të ketë thënë Palmer në tavolinë me mysafirët e tij në Ambasadën amerikane në Prishtinë, pasi që ata janë ankuar se ‘Thaçi nuk është kredibil për ta udhëhequr dialogun’.
Kujtojmë se kryeministri Ramush Haradinaj pati deklaruar se ai ‘nuk mund të tregojë tregojë se çka ka thënë Palmer në këtë takim”.
“Çka ka thënë z.Palmer unë nuk kam të drejtë me folë, është Ambasada e Amerikës thirrini ata iu tregojnë. Çka themi ne i dini qëndrimet tona cilat janë, mirëpo është shumë me rëndësi që ka ardhë z.Palmer në Kosovë, një njëri i rangut të tij, duke e pasur parasysh sa të ngarkuar janë në Amerikë me tema të shumta. Vërtetë dëshmon për një vendosmëri të Amerikës me mbetë me Kosovën dhe me rajonin. Pra, kjo është porosia kryesore, ardhja e tij, për më shumë është Ambasada e Amerikës”, pati deklaruar Haradinaj.



