Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka reaguar në lidhje me vendimin e marrë sot në Parlamentin e Maqedonisë në lidhje me miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe.
Ai e cilësoi këtë vendim një arritje me rëndësi për shqiptarët për një shoqërie të hapur, pa mure ndarëse, e të bazuar në vlerat europiane.
MESAZHI I BUSHATIT
Gjuha shqipe në Maqedoni! Miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni është një arritje e rëndësishme për shqiptarët si popullsi shtetformuese dhe hap përpara për demokratizimin e forcimin e rrugës euroatlantike të Maqedonisë. Miratimi i ligjit garanton një akses më të mirë e më të drejtë në shërbime dhe një përfshirje të shqiptarëve në mirëqeverisje, politikat zhvillimore dhe ndërtimin e një shoqërie të hapur, pa mure ndarëse, e të bazuar në vlerat europiane. Miratimi i ligjit është një investim me rëndësi të veçantë për forcimin e demokracisë, respektit dhe mirëkuptimit ndëretnik. Në të njëjtën kohë, ky akt është një gur themeli për një të ardhme më të mirë e më të sigurtë euroatlantike të fqinjit tonë, për çka shqiptarët në Maqedoni kanë qenë dhe janë mbështetës të palëkundur.