Pas tri orësh bisedime brenda në Kuvendin e Kosovës mes strukturave të larta të Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, në krye me liderët Albin Kurti dhe Isa Mustafa, ka përfunduar takimi.
Por, as ky takim duket se nuk ka sjellë diçka konkrete në kuptimin e arritjes së marrëveshjes për bashkëqeverisje.
Megjithatë, është parë se ka pasë disponim te zyrtarët e lartë të LDK-së të cilët në krye me kryetarin e tyre Isa Mustafën janë larguar nga objekti i Kuvendit nga dalja ku ishin të pozicionuar gazetarët që po e përcillnin këtë takim.
Mustafa ka thënë se e gjitha çka mund të thotë është se nesër është caktuar një takim i radhës i nivelit të lartë mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje në përpjekje për të arritur një marrëveshje përfundimtare për bashkëqeverisje.
Takimi Kurti-Mustafa ka ndodhur pas mbledhjes së Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje që është mbajtur sot dhe që pritet të vazhdojë edhe nesër, njofton Klan Kosova.
Gjatë ditës së djeshme, Albin Kurti përmes një videoje në Facebook ka propozuar emrat e kandidatëve për postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrave që i takojnë Lëvizjes Vetëvendosje, derisa ka kërkuar që një gjë të tillë ta bëjë edhe LDK-ja.
Ky zhvillim ndodhi vetëm pak kohë para se të mbahej mbledhja e Kryesisë së LDK-së. Pas kësaj mbledhje, LDK-ja lëshoi një komunikatë për media ku shprehu gatishmërinë që të vijojë bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje mbi bazën e mirëbesimit dhe partneritetit.
Këto takime po zhvillohen në periudhën kur po rrjedh afati kohor të cilin e ka vendosur presidenti i vendit Hashim Thaçi.
Ai i ka dhënë 48 orë kohë shtesë Albin Kurtit, si fitues i zgjedhjeve të 6 tetorit, që të propozojë emrin e kandidatit/es për kryeministër “para se të marrë veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjore”.