Beogradi është i interesuar në zgjerimin e bashkëpunimit me Moskën në fushën e energjisë dhe rritjen e tregtisë, ka thënë kryeministri në detyrë i Serbisë Ivica Daçiç në Forumin Ndërkombëtar Ekonomik në Shën Petersburg. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë serbe bëri të ditur se Serbia i kushton rëndësi të madhe bashkëpunimit ekonomik me të gjitha fuqitë e mëdha. Sipas tij, Serbia është e interesuar në rritjen e pranisë së kompanive dhe kapitalit të huaj në tregun serb. Daçiç nënvizoi se ‘Rusia është njëri nga partnerët më të rëndësishëm strategjik, politik dhe ekonomik të Serbisë’. “Serbia është e interesuar në vazhdimin e trendeve pozitive dhe dëshiron thellimin e bashkëpunimit me Rusinë në fushën e energjisë, rritjen e volumit tregtar dhe zgjerimin e të mirave që lidhen më të, përfundimin e zbatimit të projekteve ekzistuese dhe nisjen e projekteve të reja infrastrukturore”, ka thënë Daçiç. Ai ka bërë me dije se Serbia asnjëherë nuk do t’i vërë sanksione Rusisë dhe as nuk do të ndryshojë politikën e asnjëanësisë ushtarake. “Siç dihet, Rusia dhe Serbia janë miq dhe aleatë tradicionalë. Në këtë drejtim, ne do të vazhdojmë të lëvizim. Serbia asnjëherë nuk do të vë sanksione ndaj Rusisë. Kjo për ne nuk është vetëm një çështje politike, por edhe morale. Ne do mbetemi përgjithmonë miq”, ka deklaruar Daçiç.