Përpjekja për grusht shteti do të dështojë”, Naim Miftari reagon ndaj sulmeve kundër Gërvallës dhe pyet kush qëndron pas tyre

Vendimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për dënimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit shkaktoi pakënaqësi në Kosovë. Pas shpalljes së aktgjykimit, u mbajtën protesta dhe institucioneve shtetërore iu drejtuan disa kërkesa.

Gjatë protestës së organizuar të premten, pjesëmarrësit kërkuan, mes të tjerash, që ligji për Dhomat e Specializuara të shfuqizohej ose të ndryshohej.

Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, deklaroi se atë ditë të gjithë ishin UÇK.

Ai tha se qytetarët ishin mbledhur për të kundërshtuar me zë të lartë një padrejtësi të madhe, duke kërkuar nga Gjykata Speciale anulimin e vendimit dhe marrjen parasysh të popullit që ishte ngritur në protestë.

Në përfundim të tubimit, organizatorët paraqitën katër kërkesa për Qeverinë dhe Presidencën e Kosovës. Ato përfshinin shfuqizimin ose ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, sigurimin e mbështetjes së pakufizuar dhe të fondeve të mjaftueshme për mbrojtjen e të pandehurve, si dhe angazhimin e ekspertëve më të mirë ndërkombëtarë për mbrojtjen e UÇK-së.

Donika Gërvalla është përballur me kritika për shkak se, pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së, nuk kishte reaguar ndaj Gjykatës Speciale. Të premten në mbrëmje, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, publikoi një fotografi të saj, prapa së cilës ishte vendosur flamuri serb, së bashku me mbishkrimin “Donika Gërvalla, tradhtare e kombit”.

Përveç kritikave dhe sulmeve publike, Gërvalla u kërcënua edhe nga një person, i cili më pas u arrestua nga Policia e Kosovës.

I dyshuari, 32 vjeç, kishte kërcënuar përmes një postimi në Facebook si Gërvallën, ashtu edhe Vudi Xhymshitin. Në postim ai kishte përmendur edhe “plumbin” dhe vendin “ku me rrok”.

Policia e Kosovës njoftoi se kishte arrestuar një burrë kosovar, nën dyshimin se nëpërmjet rrjeteve sociale kishte kanosur një grua dhe një burrë kosovar. Pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari u dërgua në mbajtje.

Naim Miftari, ish-epror i UÇK-së dhe ish-agjent i SHIK-ut, vlerëson se protestat dhe emocionet e qytetarëve që kundërshtojnë vendimin e Dhomave të Specializuara po përdoren për qëllime të tjera.

Në reagimin e tij, Miftari iu drejtua Hysni Gucatit dhe e ndërlidhi deklaratën e këtij të fundit me të kaluarën e Donika Gërvallës dhe të familjes së saj.

Ai deklaroi për “Bota sot” se përpjekja për grusht shteti nga multimilionerët dhe përfituesit e luftës nuk do të kalojë.

Miftari e cilësoi Gucatin si “kondomi i Sami Lushtakut” dhe “furagjia e multimilionerëve të degës së PDK-AAK-së”, ndërsa pretendoi se ai mban vetëm formalisht postin e kryetarit të OVL-së së veteranëve të luftës. Ai e akuzoi gjithashtu për vjedhje të buxhetit të arsimit, për marrje page pa punuar prej 18 vjetësh dhe për përvetësim të fondeve të OVL-së.

Sipas Miftarit, Hysni Ngucati po i keqpërdor protestën dhe ndjenjat e qytetarëve që kanë dalë kundër vendimit të Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë, ndërsa përgjegjësinë po ia hedh Qeverisë së Kosovës. Ai përmendi faktin se Donika Gërvalla është vajza e heroit kombëtar Jusuf Gërvalla, i vrarë nga UDB-ja serbe, duke iu drejtuar Gucatit me pretendimin se në atë kohë ai ishte pionier me shami të kuqe i shokut Tito.

Image

Ish-eprori i UÇK-së pati akuza edhe ndaj Sami Lushtakut. Ai pretendoi se kërkesat e paraqitura nga protestuesit janë ndikuar prej Lushtakut dhe personave që, sipas tij, kanë lidhje me Milan Radoiçiqin.

Duke përdorur shprehjen “S’kemi çka i bëjmë magarit e t’i mëshon samarit”, Miftari iu drejtua Gucatit me një varg akuzash. Ai e quajti vjedhës të buxhetit shtetëror dhe kriminel të dënuar për pengim të drejtësisë së Gjykatës së Kosovës, ndërsa tha se, pavarësisht se kishte kërkuar falje ndoshta njëqind herë dhe kishte qarë “si një grua” gjatë qëndrimit në burgun e Hagës, mbetej një multimilioner i korrupsionit.

Miftari deklaroi se kryeministri Albin Kurti nuk mund të nënshtrohet dhe se nuk do t’i përmbushë asnjëherë ato që ai i quajti dëshira dhe kërkesa djallëzore të Hysni Ngucatit. Sipas tij, këto kërkesa burojnë nga inatet e shefit të tyre, Sami Lushtakut, dhe nga miqtë e Milan Radoiçiqit.

Në përfundim, ai pretendoi se grushti i shtetit ishte planifikuar nga një pjesë e multimilionerëve të PDK-AAK-së dhe nga Serbia, e cila, sipas tij, e ka humbur përfundimisht Veriun e Kosovës. Miftari shtoi se ish-pushtetarët e PDK-AAK-së kanë mbetur pa haraç, pa tenderë dhe pa grante bujqësore, duke theksuar se ky plan “nuk do t’ju dhezë”.

Më 16 shtator, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan secili me nga 25 vjet burgim. Kadri Veselit iu shqiptua dënimi me 18 vjet burgim, ndërsa Rexhep Selimi u dënua me 13 vjet.

Trupi gjykues i gjeti penalisht përgjegjës për krime lufte që kishin të bënin me ndalimin arbitrar të 385 personave, trajtimin mizor të 49 personave, torturimin e 303 personave dhe vrasjen e 96 personave.

Në aktgjykim thuhet se në mesin e viktimave kishte shqiptarë të Kosovës që shiheshin si kundërshtarë të UÇK-së, persona për të cilët pretendohej se kishin lidhje me Republikën Federative të Jugosllavisë ose me autoritetet serbe, si dhe pjesëtarë të disa pakicave etnike, përfshirë romë dhe serbë.

Nga ana tjetër, të katër të akuzuarit u liruan nga përgjegjësia për gjashtë akuzat që lidheshin me krime kundër njerëzimit.

Ky është një aktgjykim i shkallës së parë dhe ndaj tij mund të paraqitet ankesë.

 

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme