Sikurse u raportua edhe ditën e djeshme nga burime nga grupi hetimor, kromi dyshohet se është kryefjala e hetimeve për vrasjen e Iljaz Calit, mbrëmjen e së dielës në kryeqytet. Krimi ndodhi në rrugën dytësore të autostradës Tiranë-Durrës.
Rezulton se, nga pyetja e familjarëve dhe miqve rezulton se viktima ka pasur konflikte të hapura vetëm për shkak të biznesit të kromit duke e zbehur pothuajse plotësisht pistën e konflikteve për shkak të drogës.
Nga verifikimet e policisë ka rezultuar se Iljaz Cali prej kohësh i ka dhënë biznesin e tij të kromit për shfrytëzim një tjetër personi, i cili nuk ka paguar dhe kjo ka sjellë mosmarrëveshje mes tyre.
Një tjetër konflikt i hapur i tij ishte me një tjetër biznesmen, i cili shfrytëzonte minierat e kromit dhe galeritë e tyre ishin afër. Ata konfliktoheshin për shkak të gërmimeve.
Një tjetër konflikt më i hershëm i Iljaz Calit lidhet po me minierën ku ka pasur mosmarrëveshje për shkak të rrugës që të çon në galeri. Policia po i verifikon të gjitha konfliktet dhe nuk ka veçuar asnjë prej tyre.



