India dhe Pakistani u përplasën të premten në Kombet e Bashkuara. Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, e akuzoi Indinë për “sundim terrori” ndaj myslimanëve, duke nxitur reagim të ashpër të këtij shteti.
Kryeministri pakistanez e akuzoi homologun indian, Narendra Modi, se ka një plan për ta spastruar Indinë nga myslimanët, shkruan France24.
“Forma më e keqe dhe më e përhapur e islamofobisë tani e sundon Indinë”, tha Khan përmes fjalimit të transmetuar në video në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
“Ideologjia hinduse, e mbushur me urrejtje, e propaganduar nga regjimi fashist, RSS-BJP, ka lëshuar një regjim të frikës e dhunës kundër komunitetit mysliman prej 200 milionësh në Indi”, tha Khan.
Ai ishte duke iu referuar partisë së kryeministrit indian, Bharatiya Janata, dhe një lëvizjeje hinduse.
Khan pretendoi se interesat tregtare miliardëshe po ia mundësojnë Indisë që të shpëtojë pa u ndëshkuar aspak për abuzimin e të drejtave të njeriut.
Përderisa India shpesh i injoron deklaratat e Pakistanit në Kombet e Bashkuara, një diplomate e re e Indisë e ushtroi të drejtën për t’iu kundërpërgjigjur kryeministrit pakistanez.
Ajo e akuzoi Pakistanin për strehimin e Osama bin laden-it, i cili u vra më 2011 nga forcat speciale amerikane në një qytet pakistanez. “Ky është shteti që vë zjarr, por maskohet si zjarrfikës”, tha Sneha Budey e Indisë.
“Ndryshe nga Pakistani, India është demokraci pluraliste me popullsi thelbësore të pakicave, të cilat kanë mbajtur zyrtar më të larta të vendit”, shtoi ajo.