Prokuroria e Shkodrës ka pranuar kërkesën e Erdgys Arrazi, që të ishte i pranishëm në ceremoninë mortore të së bijës, por policia e refuzoi atë , duke mos e lejuar të ishte pjesë e varrimit.
“Organi procedues jep pëlqimin që personi nën hetim të lejohet të marrë pjesë në ceremoninë mortore, nëse nga ana e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër garantohet siguria dhe rendi gjatë shoqërimit të tij, ndalohet komunikimi me çdo person tjetër dhe sigurohet rikthimi i tij në dhomat e sigurisë ku mbahet i ndaluar, menjëherë pas përfundimit të ceremonisë mortore. Sa më sipër, ju lutem të drejtoheni në institucionin kompetent, për shqyrtimin e kërkesës suaj”, është shprehur Prokuroria.
Ka qenë Edison Arrazi, vëllai i Erdgysit, ai që njofton se policia nuk e ka lejuar të atin të marrë pjesë në ceremoni, pavarësisht miratimit të Prokurorisë.
“Prokuroria na ka dhënë leje që vëllai të vinte në varrim dhe policia nuk e lejoi që ti hidhte një grusht dhe vajzës që varrosëm sot”, tha Edison Arrazi.