Gazetare: Melihate Rustemi
Pyetjet e deputetëve në Kuvend nuk kaluan pa përplasje mes opozitës dhe pushtetit lidhur me ndryshimet në ligjet për arsimin fillor dhe të mesëm. Deputeti i LSDM-së, Bllagoj Boçvarski akuzoi Ministrinë e Arsimit për centralizim të fshehtë të kompetencave dhe për rrezikimin e vendeve të punës të mësimdhënësve përmes procesit të optimizimit. Sipas tij, reformat e prezantuara po e kthejnë procesin e decentralizimit 20 vite pas, duke i ngarkuar komunat me pagat e mësimdhënësve, ndërsa Ministrisë po i jepen kompetenca më të mëdha, veçanërisht për hapjen e paraleleve me më pak se 20 nxënës.
“Ju me këto ligje u thoni komunave se tani e tutje do të mund të paguajnë paga nga buxhetet e tyre, ndërsa ju si Ministri po u shkurtoni kompetencat politike duke kërkuar pëlqimin tuaj për çdo paralele. Ky është një proces retrograd që do të bllokojë komunat. Pse këtë optimizim nuk e bëtë përmes largimit natyror, me pensionim, por me shkurtime që do të zbrazin fshatrat tona?, pyeti Bllagoj Boçvarski, deputet i LSDM-së.
Ministrja e Arsimit, Janevska, i hodhi poshtë këto akuza. Ajo theksoi se optimizimi i shkollave nuk nënkupton largimin e arsimtarëve nga puna, por riorganizimin e tyre në pozicione të tjera të nevojshme për sistemin arsimor, me qëllim që procesi i mësimit të jetë sa më cilësor.
“Asnjë mësimdhënës gjatë këtyre dy viteve nuk është larguar nga puna. I kemi angazhuar si këshilltarë për karrierë, u kemi dhënë mundësi të punojnë si asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta, u kemi dhënë mundësi që orët që u mungojnë t’i plotësojnë përmes aktiviteteve jashtëkurrikulare. Aktualisht kemi një projekt pilot në 10 deri në 15 shkolla për të organizuar orarin e të gjithë mësimdhënësve, në mënyrë që ata të jenë sa më efikasë në punën e tyre dhe fëmijët tanë të mos renditen të fundit në testimin PISA”, u përgjigj Vesna Janevska, ministre e Arsimit.
Sipas dikasterit të Arsimit, reformat janë të domosdoshme për të shpëtuar arsimin që po përballet me rënie të vazhdueshme të standardeve dhe numrit të nxënësve. /Alsat.mk
The post Përplasje në Kuvend për reformat në arsimin fillor dhe të mesëm appeared first on Alsat.



