Gazetare: Mirjana Davidovska
Kryeprokurori i shtetit Lubomir Jovevski vendos nëse ka pasur apo jo parregullsi në punën e Prokurorisë së Vilma Ruskoskës gjatë bastisjes në Drejtorinë e Policisë Financiare. Një situatë e tillë erdhi pasi drejtori i Policisë Financiare, Arafat Muaremi, ka dorëzuar parashtresë tek Joveski, në të cilën ka deklaruar se ka pasur lëshime në urdhrin për bastisje nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar në zyrat e Policisë Financiare. Joveski do të konstatojë nëse ka pasur parregullsi në veprimet e prokurorëve dhe hetuesve, siç akuzon Muaremi, por nga Prokuroria për televizionin Alsat thonë se është ende herët për vendim.
Alsat pyeti në Këshillin e Prokurorëve nëse mund të shkarkohet prokurori në raste të tilla, por thonë se këto çështje do t’i diskutojnë në mbledhje të këshillit nëse arrin ndonjë ankesë. Një kërkesë të tillë mund ta bëjë drejtpërdrejt Drejtoria, por edhe prokurori i shtetit Lubomir Joveski.
Këto tensione Prokurori-Polici Financiare vijnë pas bastisjes së prokurorisë së Ruskovskës në zyrat e drejtorit Muaremi. Prokuroria nuk ka bërë të ditur detaje çfarë kanë kërkuar në Policinë Financiare, përveçse se kanë vepruar sipas denoncimi të një grupi qytetarësh. Ndërsa Muaremi, një javë pas bastisjes, akuzoi se ka një sërë lëshimesh në urdhrin që është miratuar nga gjykatësi i procedurës paraprake nga Gjykata Penale. Kemi kërkuar përgjigje edhe nga Këshilli Gjyqësor se a do të zhvillohet procedurë, por ata nuk ishin të kapshëm për përgjigje.
Parashtresa ka çuar edhe në zënkë personale mes drejtorit Muaremi dhe kryetares së Prokurorisë së Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Ruskovska, e cila ka akuzuar se në këtë mënyrë ushtron presion të drejtpërdrejtë ndaj institucionit që ajo drejton. Për këtë, drejtori i Policisë Financiare është përgjigjur se edhe kur e ka dërguar njoftimin për ankesën e dorëzuar, ka qenë i vetëdijshëm se Ruskovska do ta keqpërdor fjalën “gjoja presion”.
“Prokurore, mbrojtja e të drejtave tuaja dhe të Drejtorisë së Policisë Financiare nga veprimet dhe reagimet e pabaza dhe të paligjshme ndaj organeve kompetente është detyrimi im sipas Kushtetutës dhe ligjeve”, thotë Muaremi. /Alsat.mk