Gazetar: Isuf Kadriu
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka ndërmarrë të gjitha masat për ruajtjen e sigurisë më 4 shkurt por edhe sigurimin e kushteve për mbarëvajtjen e manifestimit për shënimin e përvjetorit të Goce Dellçevit.
Ministri i brendshëm, Oliver Spasovski tha se shteti do ti përgjigjet fuqishëm çdo provokim të mundshëm apo çdokujt që tenton të provoj apo të nxit incidente.
Spasovski u bëri thirrje qytetarëve që të mos lejojnë që bien në provokime të thirrjeve të cilit do qoftë subjekt politik, apo individë që bënë thirrje për prishjen e rendit dhe të qetësisë publike.
“Ne duhet të dërgojmë një mesazh të qartë tek të gjithë politikanët, subjektet politike që të jemi përgjegjës në këtë proces pasi papërgjegjësia nuk i bën mirë qytetarëve dhe shtetit. Përkundrazi papërgjegjësia nuk do të sjell asgjë të mirë as për vet ato parti politike”, deklaroi Oliver Spasovski, Ministër i Punëve të Brendshme.
Spasovski nuk bëri të ditur ndonjë plan konkret apo sa forca policie do të angazhohen të shtunën, por tha se plan konkret ka dhe se do të shihet nëse do të jetë e nevojshme.
Ai tha se pret angazhim maksimal edhe nga pala bullgare që të mos i lihet hapësirë “radikalëve” që duan të rrënojnë raporteve mes dy shteteve.
“Ne nuk do të lejojmë asnjë përshkallëzim të gjendjes. Nuk do të lejojmë asnjë incident. As unë e as MPB-ja nuk do të lejojmë asnjë nënçmim të popullit maqedonas dhe shtetit maqedonas nga kushdo, kush do qoftë. Askush në këtë shtet nuk guxon dhe nuk do ti lejohet që të jetë mbi shtetin”, tha Oliver Spasovski, Ministër i Punëve të Brendshme.
Lidhur me manifestimin më 4 shkurt foli edhe kryeministri Kovaçevski duke mos përjashtuar mundësinë që hyrja në Maqedoni ti ndalohet ndonjë personi për të cilët shërbimet e inteligjencës kanë njohuri se mund të jetë nxitës i tensioneve.
Pjesëmarrjen në manifestimin për shënimin e përvjetorit të Goce Dellçevit më 4 shkurt e ka paralajmëruar eurodeputeti bullgar Angel Xhambaski, i njohur për retorikën e tij nacionaliste, por edhe drejtues të disa shoqatave bullgare gjithashtu të njohura për nxitje në raportet mes dy vendeve. /Alsat.mk