Pesë shtetas shqiptarë, dy gra dhe tre fëmijë, janë riatdhesuar nga Siria. Në mesin e të riatdhesuarve është një 79-vjeçare, e cila kishte udhëtuar drejt Sirisë pas vrasjes së djalit, për të marrë nipërit të saj, por mbeti atje për më shumë se një dekadë. Kryeministri shqiptar, Edi Rama, publikoi në rrjetet sociale pamje të mbërritjes së tyre në Aeroportin e Rinasit. Ai tha se riatdhesimi i pesë shtetasve është një detyrim njerëzor dhe shtetëror, për t’u garantuar një fillim të ri nën mbrojtjen e institucioneve shqiptare.
Ndërkaq, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në Tiranë tha se operacioni u krye nga disa institucione shqiptare në bashkëpunim me ato të huaja, veçanërisht siriane, për të mundësuar procedurat dhe transitin e sigurt të shtetasve shqiptarë. Qeveria shqiptare thekson se do të vijojë punën për kthimin e shtetasve të tjerë shqiptarë nga Siria, nëse krijohen kushtet e nevojshme për një riatdhesim të sigurt.
Deri më tani, sipas autoriteteve shqiptare, janë riatdhesuar 44 shqiptarë, por nuk ka një shifër zyrtare se sa është numri i shqiptarëve që ende vazhdojnë të jenë në Siri. Operacioni është pjesë e një procesi që Shqipëria e ka nisur prej disa vitesh.
Në vitin 2020 u riatdhesuan nga kampi Al-Hol pesë gra dhe fëmijë shqiptarë. Një prej rasteve më të njohura ishte ai i dy të miturve Eva dhe Endri Dumani, motër e vëlla, që u dërguan në Siri nga babai i tyre.
Endri u kthye në Shqipëri në vitin 2020, ndërsa Eva qëndroi atje deri në shkurt të këtij viti. Ajo u kthye në moshën 21-vjeçare, pas një procesi të gjatë dhe të ndërlikuar. Rasti i saj u bë simbol i situatës së fëmijëve shqiptarë që u dërguan në Siri nga prindërit e tyre dhe që më pas mbetën të bllokuar për vite me radhë në kampe. Ajo u nxor fillimisht nga Siria drejt Turqisë dhe më pas u kthye në Shqipëri përmes një operacioni të koordinuar sigurie.
Në gusht 2021, gjatë një operacioni u riatdhesuan 19 shtetas shqiptarë, ndërsa një vit më vonë edhe 13 të tjerë. Në prill 2024, Gjykata e Posaçme në Shqipëri shpalli fajtore nëntë gra të riatdhesuara nga Siria, të akuzuara për pjesëmarrje në organizatë terroriste dhe pjesëmarrje në veprimtari luftarake në një shtet të huaj. Për vite me radhë, kampet Al-Hol dhe Al-Roj kanë mbajtur mijëra gra dhe fëmijë, shumë prej tyre shtetas të huaj, të cilët kishin lidhje familjare me persona të dyshuar si pjesëtarë ose mbështetës të IS-it./Alsat.
The post Pesë shqiptarë u kthyen në atdhe nga Siria, mes tyre tre të mitur dhe një 79-vjeçare appeared first on Alsat.



