Autor: Bardhyl Dauti
Disa pika kryesore të ofertës ekonomike të Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), për zgjedhjet qëndrore – 2016, brenda një pakete masash esenciale për rimëkëmbje të ekonomisë shqiptare në Maqedoni.
1. Ndarje proporcionale të buxhetit, që mundëson investime kapitale në zonat shqiptare të Maqedonisë. Kjo do të mundëson përmirësimin e standardit të jetesës dhe mirëqenies ekonomike të qytetarëve shqiptare dhe shpërndarje normale të mirëqenies dhe standardit jetësor në mes gjithe qytetarëve. Për eliminim të disekulibrit ekonomik në zhvillim në mes zonave shqiptare dhe maqedonase, propozohet që investimet kapitale në teritoret shqiptare të jenë deri në masen e 7% të PPB-se (Produktit te pergjithshem bruto). Politikisht, ndarja proporcionale e buxhetit, si në fazën e ndërtimit të buxhetit vjetor ashtu edhe në fazën e propozimit të buxhetit për miratim të kontrollohet me veto nga zëvendës kryeministri shqiptarë.
2. Amnisti fiskale, që paraqet bazën reale për përmirësim të likuiditetit ekonomik të familjeve shqiptare dhe bazën potenciale për zhvillim të sektorit privat në suaza të ekonomise formale. Kjo politikë njëkohësisht, në plan afatmesëm, ndikon edhe në përmiresim të disiplinës fiskale të qytetarëve dhe bizneseve, që në perspektivë mundëson zvogëlimin e informalitetit me mekanizma stimulues për palët ekonomike (qytetarët dhe bizneset), pjesmarëse në informalitet të detyruar. Masat konkrete që do të meren në kuadër të politikës së aministisë fiskale për qytetarët dhe bizneset, përmes mekanizmave stimulues, do të eliminojnë përgjithmone, dënimet që u aplikohen qytetarëve dhe bizneseve mbi bazë të pjesmarjes në informalitet ekonomik. Mekanizmat stimulues që derivohen nga politika e amnistisë fiskale, politikisht janë komplementarë me mungesën e politikave shtetërore për shpërndarje të drejtë dhe proporcionale të buxhetit shtetëror, sipas kriterit gjeografik dhe etnik dhe me mungesën e përkujdesjes shtetërore, ndaj bizneseve shqiptare me subvencione dhe masa tjera lehtësuese fiskale.
3. Politikë fiskale të decentralizuar. Rritje të normës së perqdinjes së TVSH-së që ndahet për vetadministrimin lokal nga 3% deri në 10%, në menyre që të gjenerohet kapaciteti real fiskal i qeverive lokale, avansimi i komunave shqiptare në konsum dhe rritja e cilësisë së sherbimeve publike që sigurohen nga qeverisja lokale.
4. Politike tatimore qe favorizon konsumin privat dhe publik te qytetareve.
a) Ulje të normes së TVSH-së, ne mallrat e konsumit privat, nga 18% në 15%.
b) Ulje të normës së TVSH-së, në konsumin e të mirave publike (Energji elektrike, faturat ndaj ndërmarjeve publike), nga 18% ne 10%.
c). Kthim të TVSH-se, personave fizik, në fund të vitit fiskal për mallrat e konsumit privat, me qëllim të rritjës së buxhetit vjetor të familjeve, avansimit të pjesmarjes së konsumit në PPB, (që paraqet targetin kryesor ekonomik, që aplikohet në vendet me ekonomi në zhvillim) dhe përmiresimin e likuiditetit te agjentëve ekonomike, familjeve dhe bizneseve. Kjo politike ekonomike pritet te jep rezultate pozitive në periudhe afatshkurter, nga 4 në 8 vite.
5. Aplikim të taksës progresive në të ardhura, në vend të taksës së sheshtë (flat rate tax), ku mundësohet zvogëlimi i diferencave në mes klasave në shoqëri. Aplikimi i taksës progresive ofron drejtësi ekonomike, më shumë liri për zhvillim dhe kontribut më të drejtë në buxhet, të të gjithë përfituesve në tregje të vecanta. Taksa e sheshtë, përkundër përshtypjes pozitive që le në zgjerim të bazës tatimore (përfshirjes më të gjërë të tatimpaguesve), ajo rëndon më shumë padrejtësisht këdo që ka të ardhura më të ulëta, potencialisht të punësuarit në sektorin publik dhe bizneset e vogla dhe të mesme dhe nga ana tjetër mundëson përfitime të pamerituara për bizneset e mëdhaja, monopole (si p.sh: EVN) apo oligopole (si.p.sh: T-Mobile, ONE, VIP dhe të tjera) duke pakësuar, komponentën e kërkesës agregate, për pjesën e të ardhurave të buxhetit në raport me PPB-në, dhe mundësinë e rikthimit të të ardhurave publike në shpenzime publike, në funksion të rritjes së mirëqenies sociale, standardit të qytetarëve dhe gjenerimit të punëzënies. Politika e taksës progresive në anën tjetër është në pajtueshmëri me principet ekonomike të Kopenhagës, principe ekonomike këto të njohura për vendet kandidate për integrim në Bashkimin Evropian, që ne anën tjetër garanton zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, dukë mbajtur llogari për shpërndarje normale të mirëqenies. Aq më shumë, në kushtet të tilla ekonomike për Maqedoninë, ku të ardhurat për frymë (PPB ose GDP për frymë), paga mesatare dhe paga minimale, janë dukshëm më të ulëta, se mesatarja e shteteve të Ballkanit Perendimor, politika e taksës progresive mbron më së miri individët me të ardhura të ulëta dhe bizneset e vogla me fitime të ulëta.
6. Zvogëlim të borxhit publik, poshtë nivelit 40% të PPB-së dhe deficitit fiskal, poshtë nivelit 3% të PPB-së, (kritere fiskale që vlejnë për ekonomitë e vogla dhe të hapura, që janë në tranzicion dhe zhvillim, gjithnjë sipas kritereve të konvergjencës ekonomike të Mastrihit), duke favorizuar investimet produktive që gjenerojnë punëzenie për kosto të investimeve joproduktive. Kjo politike të udhehiqet nga parimi: ”Më pak para për qeverinë dhe më tepër para për familjet dhe komunitetin e biznesit”, ku mundësohet drejtësi dhe proporcionalitet në shpërndarje të mirëqenies ekonomike, duke mbajtur llogari edhe për masat stimuluese të investimeve private.
Për më shumë sqarime rreth këtyre pikave dhe më shumë pika tjera, lexoni platformën e Partisë Demokratike Shqiptare, për zgjedhjet qëndrore, 2016