Shefi i grupit të deputetëve të socialistëve dhe demokratëve në Parlamentin Evropian, Xhani Pitela deklaroi se shteteve nga Ballkani Perëndimor, të cilat dëshirojnë që të futen në Bashkimin Evropian, duhet t’u jepet perspektivë e qartë për anëtarësim që të mos bien në “orbitën ruse”.
“BE-ja duhet të jetë shumë aktive, edhe pse zgjerimi i Unionit është i mundur pas vitit 2019… Ballkani kalon nëpër një periudhë shumë problematike. Në Maqedoni, Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë dhe në Serbi veprojnë presione të fuqishme destabilizuese”, deklaroj Pitela për të përditshmen sllovene “Dnevnik”.
Ai shtoi se “Ballkani është pjesë përbërëse e Evropës dhe fqinjësisë në BE”.
“Por, tani jemi shumë larg njëri tjetrit edhe pse duhet të jemi sa më afër njëri tjetrit dhe të bashkuar. Nevojitet politikë aktive ndaj atij rajoni dhe mobilizim politik të forcave evropiane, sepse rrezikojmë që gjithë ky të kalojë në orbitën ruse. Ai rrezik është shumë real, ndërsa tërheqja ruse është shumë e madhe”, theksoi Pitela.
Ai potencoi se vetëm politika e perspektivës evropiane për anëtarësim në BE është politika e vetme, e cila do t’i mbajë vendet ballkanike të mbrojtura nga Rusia.
“Kjo perspektivë nxit progres ekonomik, social dhe demokratik të shoqërive të atjeshme. Shtetet që janë kandidate për anëtarësim do të mund t’i bashkangjiten BE-së pas vitit 2019, por duhet t’u japim përgjigje të qartë që do të veprojë në mënyrë stabilizuese”, tha Pitela.
Ai theksoi edhe se “shtetet e lartpërmendura duhet qartë t’i plotësojnë kriteret dhe të detyrohen se do ta respektojnë të drejtën e BE-së dhe parimet e saj demokratike, përndryshe dera e BE-së do të jetë e mbyllur”.