Plagoset me thikë kryetari i Bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi.
Kokoneshi pas një debati me shtetasin Orgest Xhelili, është goditur me thikë nga ky i fundit.
Policia e Lushnjës ka dhënë detaje rreth plagosjes së kryebashkiakut të Divjakës, Fredi Kokoneshi.
“Rreth orës 09:30, në afërsi të bashkisë Divjakë, shtetasi O. Xh., 46 vjeç, dyshohet ka goditur me mjet prerës, shtetasin F. K., me detyrë Kryetar i bashkisë Divjakë dhe shoferin e tij, shtetasin G. B., 45 vjeç. Të dëmtuarit janë transportuar menjëherë dhe po marrin ndihmë mjekësore, në Spitalin Rajonal Lushnjë.
Kryebashkiaku u godit 4 herë në shpatull, shoferi me 5 plagë në bark
Falë veprimeve të shpejta operacionale të shërbimeve të Policisë, është kapur dhe shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme procedurale, shtetasi O. Xh., si autor i dyshuar i plagosjes.
Në vendngjarje ndodhen drejtuesit më të lartë të DVP Fier.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes,” thuhet në njoftim.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e së premtes në Poliklinikën e qytetit pas një debati mes Kokoneshit dhe shtetasit Orgest Xhelili. Autori i kësaj ngjarje ka qenë ish-punonjës IT në bashki dhe është arrestuar nga Policia. Janë ende të paqarta e shkaqet e ngjarjes së rëndë.
Nuk është hera e parë që Kokoneshi përfshihet në një konflikt.
Në muajin korrik ai denoncoi se ishte dhunuar nga nipi i deputetit socialist Paulin Stërkaj.
Ishte 14 korrik i këtij viti kur zyrtari denoncoi në komisariatin e Divjakës se u ofendua dhe u godit me grushte nga 32-vjeçari Dritan Stërkaj, administrator i një resorti në Divjakë. Ai tha në polici se ishte goditur për shkak të detyrës, ndërsa nuk dha detaje për ngjarjen.