Gjykata në Pejë ka njoftuar se është caktuar masa e paraburgimit ndaj të pandehurve, L.K, dhe A.U.
I pandehuri L.K:
Me datë 10.09.2019, rreth orës 12:50, në Pejë, me dashje ka ndihmuar të afërmin e tij, përkatësisht të pandehurin V.K në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë e mbetur në tentativë e në dëm të viktimës A.U, në atë mënyrë që ditën kritike i pandehuri L.K e ka drejtuar automjetin e tij me ç’rast bashkë me të pandehurin V.K kanë shkuar afër marketit “Minimax” dhe me të takuar të dëmtuarin A.U i cili ishte duke e drejtuar veturën e tij, i pandehuri L.K e ndal veturën në mes të rrugës gjersa nga vetura del i pandehuri V.K dhe nga krahu i djathtë i veturës së të dëmtuarit ka shtënë tri herë në drejtim të të dëmtuarit për ta privuar nga jeta mirëpo që nuk ka arritur ta godas e pastaj i pandehuri V.K hip në veturën e të pandehurit L.K i cili me shpejtësi largohet nga vendi i ngjarjes.
Me këto veprime i pandehuri L.K dyshohet se ka kryer veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë e mbetur në tentativë.
I pandehuri A.U:
Me datë 10.09.2019, pa autorizim ka mbajtur në pronësi dhe kontroll një armë zjarri në atë mënyrë që më parë pa leje të organeve kompetente ka mbajtur pistoletën, një karikator dhe pesë fishekë të të njëjtës armë, ku ditën kritike pasi ka ndodhur rasti i përshkruar më lartë i pandehuri e ka dorëzuar armën në polici.
Me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve.
Të pandehurit L.K i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.Për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve A.U dhe V.K, gjykata ka lëshuar komunikatën për media me datë 12.09.2019.