Një koftor i dalë mode shërben për ngrohjen e dhomës në shtëpinë e ndërtuar mbrapa shpinës së një kodre në fshatin Popovë, në perëndim të Podujevës.
“Plaku i maleve” që sapo ishte kthyer nga një shëtitje që kishte bërë nëpër bjeshkën e Lagjes Bajqinovci, do që stufa të jetë e ndezur gjithnjë në këto ditë të ftohta dhjetori, shkruan sot “Koha Ditore”. Nuk ndihet rehat nëse ndodh që ta gjejë të shuar zjarrin. I përvjel mëngët dhe vetë kujdeset për këtë.
Gëzohet kur sheh dikë t’i ketë shkuar për vizitë në këtë pjesë të Podujevës ku mysafirët janë të rrallë. Të rralla janë edhe shtëpitë në këtë fshat malor rreth 1.000 metra lartësi mbidetare. Më shumë se 4 kilometra janë larg fqinjët e paktë të Behxhet Bajqinovcit (1936). E rreth 12 kilometra e ka djalin e vetëm Afrimin (45), i cili jeton në Podujevë.
Rruga me asfalt është vetëm deri në fshatin Katunishtë (Velikorekë). Pjesa tjetër, rreth 5.5 kilometra, është përplot gropa dhe vështirë e kalueshme.
Kjo rrugë gjarpërore, që ngjitet vazhdimisht përpjetë perëndimit të Podujevës, ka kohë që nuk është meremetuar. Duhet zhdërvjelltësi për t’u ngjitur lart…