Ish zyrtari i lartë i Presidencës serbe, Goran Vesiq thotë se kryeministri i vrarë serb, Zoran Gjingjiq sot do të ishte në anën e Vuçiqit.
“Natyrisht se Gjingjiq do të ishte në anën e atyre që janë për zgjidhjen e problemeve sepse ai ëndërronte paqen”, ka thënë Vesiq, shkruan B92, kthen në shqip Periskopi.
Ai ka thënë se gjëja për të cilën Gjingjiq do të negocionte pa mëdyshje, do të ishte ‘anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian dhe zgjidhja e përhershme e problemeve ekonomike për qytetarët serbë”.
Gjingjiq, thotë ai, ishte i vetmi që ‘guxoi ta hapte çështjen e Kosovës edhe në vitin 2002, në vija të trasha”.
“Ai e ka nisur këtë rrugë që moti dhe ajo që po bën saktësisht tash qeveria serbe, ishte ajo që bëri Gjingjiq në fillimin e tij dhe natyrisht se ai do të ishte tani në vijë më këtë proces”, thotë ai, shkruan Periskopi.
Zoran Gjingjiq u vra më 12 mars 2003, derisa ish njeriu i afërt i tij thotë se ‘Serbia nuk duhet ta harrojë atë që nisi Gjingjiqi para 16 vjetësh”.
“Ai fitoi. Fitoren e pagoi me jetën e tij, nuk e di nëse ai nuk do ta pranonte këtë çmim në mënyrë që ëndrat e tij të realizoheshin”, thotë ish- zyrtari serb.
Ai thotë se Gjigjiq para se gjithash u vra ‘për shkak se u quajt tradhtar nga nacionalistët që e akuzonin se po e shet Kosovën’.
Ndryshe, Zoran Gjigjiq ka qenë kryeministri i parë serb i zgjedhur pas rënies së regjimit të Sllobodan Millosheviqit në vitin 2000.
Qeveria e Gjingjiqit ka bashkëpunuar me Tribunalin e Hagës për Krime Lufte dhe ka arrestuar dhe ekstraduar në këtë gjykatë disa të akuzuar.
Gjingjiq është vrarë më 12 mars të vitit 2003 nga një snajperist pranë ndërtesës së Qeverisë në qendër të Beogradit.
Organizatori i vrasjes, Millorad Ulemek Llegija, dhe snajperisti Zvezdan Jovanoviq janë dënuar me nga 40 vjet burgim.