Një person është arrestuar në fshatin Plavë të Dragashit në mëngjesin e së hënës, pasi i janë gjetur pesë kilogramë drogë të tipit marihuanë.
Sipas njoftimit nga policia e Kosovës, vetura “Audi” ishte ndalur për shkak të tejkalimit të shpejtësisë, ndërsa gjatë shqiptimit të gjobës një polic kishte vënë re një qese plastike të dyshimtë.
Gjatë kontrollit është vërtetuar se në te ishin fshehur 4 kilogramë e 694 gramë drogë që dyshohet të jetë e llojit marihuanë.
Policia ka njoftuar se deri tash është arrestuar një i dyshuar ndërsa tre tjerë ndodhen në arrati.
“Droga është sekuestruar së bashku me automjetin; katër telefon celularë dhe një sasi e parave kesh. Lidhur me rastin është informuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që provat materiale dhe shkresat e lëndës t’i kalojnë prokurorisë për procedura të mëtejme”, ka njoftuar policia e Kosovës.