Komisariati i Kavajës është shndërruar pasditen e kësaj të mërkure në një skenë krimi, pasi një person i ndaluar ka vrarë veten brenda qelive të paraburgimit.
Ilvi Meta, 31-vjeç i ka dhënë fund jetës duke u varur brenda qelisë. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe babi i viktimës, Agim Meta, i cili akuzon policinë.
Duke folur për mediat Agim Meta ka deklaruar se djalin e tij e kishin akuzuar për vjedhjen e një dere alumini.
“Polici qensh, polici qensh janë, e morën paradite bënë kontroll në shtëpi, edhe thanë do ta sjell, s’ka gjë s’ka gjë edhe ikën. E akuzuan për vjedhjen e një dere alumini. Nuk e di, unë isha në një lokal duke pirë kafe me një shok, vetëm kur më thanë Agim ik tek shpia se ka ndodh diçka. Kur shkova në shtëpi gjeta gruan, vajzën duke qarë. Nuk më kanë thënë asgjë, qoftë policia, kryeministri Edi Rama që mos e bëfshin pikën e hajrit. Nuk e di s’më ka ardhur asnjë informacion. S’më kanë thënë asgjë, do ta zbardh këtë gjë”, u shpreh babai i viktimës për mediat.
Njoftimi i Policisë:
Më datë 04.05.2022, në Komisariatin e Policisë Kavajë, është gjetur nga shërbimet e Policisë i vetëvarur në dhomat e izolimit dhe si pasojë ka ndërruar jetë, shtetasi i ndaluar I. M., 31 vjeç, i cili është ndaluar ditën e sotme rreth orës 15:50 pasi Gjykata kishte vendosur ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për vjedhje.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë i cili ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.