Presidenti serb, Aleksander Vuçiq ,do të qëndrojë të shtunën në Kosovë, ku sipas njoftimeve nga kabineti i tij, ai në veri të Kosovës do të takohet me përfaqësuesit politikë të serbëve kurse në pjesën qendrore, në Llapnasellë do të zhvillojë një bashkëbisedim me qytetarët.
Policia e Kosovës ka njoftuar se do të jenë në gatishmëri të plotë për të ofruar siguri në Mitrovicë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, për Telegrafin ka thënë se autoritetet e rendit në Kosovës kanë ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme policore konform autorizimeve ligjore, me qëllim të ofrimit të sigurisë në Mitrovicë.
“Policia e Kosovës, në të gjitha rastet kur kemi të bëjmë me vizita zyrtare të delegacioneve apo personaliteteve të ndryshme në Republikën e Kosovës, ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme policore konform autorizimeve ligjore, me qëllim të ofrimit të sigurisë, ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike”, ka thënë Kelani.
Ndryshe, Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, ka miratuar më 17 janar kërkesën që Vuçiq të vizitoj Kosovën.