Policia izraelite arreston këngëtaren palestineze, Dalal Abu Amneh

Policia izraelite arrestoi këngëtaren palestineze, Dalal Abu Amneh me arsyetimin se ajo “mbështeti Palestinën dhe bëri postime anti-izraelite” në rrjetet sociale, transmeton Anadolu.

Lidhur me këtë çështje është bërë një deklaratë me shkrim nga policia izraelite.

Në deklaratë thuhej se këngëtarja me ndikim në rrjetet sociale, e cila jeton në qytetin e Nazaretit, u arrestua me dyshimin se “përkrah Palestinën dhe provokoi ngjarje”.

Mësohet se këngëtarja palestineze do të dërgohet në Gjykatën Penale të Paqes në Nazaret me kërkesë të policisë për zgjatjen e afatit të paraburgimit.

E lindur në Nazaret në vitin 1983, Abu Amneh, e cila është gjithashtu mjeke dhe producente, është e martuar dhe nënë e dy fëmijëve. Abu Amneh ka 309 mijë ndjekës në llogarinë e saj në Instagram.

– Konflikti Izrael-Palestinë

Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Izzeddin Kassam, nisi sulm gjithëpërfshirës ndaj Izraelit në mëngjesin e 7 tetorit, të quajtur “Tufani i Aksa-së”. Ndërsa mijëra raketa u hodhën nga Gaza drejt Izraelit, grupet e armatosura palestineze bastisën dhe morën nën kontroll portën kufitare Beit Hanun-Erez në kufirin Gaza-Izrael.

Grupet e armatosura më pas hynë në vendbanimet brenda Izraelit ndërsa ushtria izraelite nisi sulme në Rripin e Gazës me dhjetëra avionë luftarakë. Raportohet se 1.400 izraelitë, përfshirë 299 ushtarë humbën jetën dhe 3.968 izraelitë u plagosën në sulmet e kryera nga Gaza.

Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi se 2.778 palestinezë u vranë dhe më shumë se 10 mijë u plagosën në Gaza në sulmet e Izraelit. Theksohet se 61 palestinezë u vranë dhe rreth 1.250 u plagosën në sulmet e forcave izraelite dhe kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Në sulmet izraelite humbën jetën 11 gazetarë.

Në përleshjet që kanë shpërthyer midis Hezbollahut dhe ushtrisë izraelite në kufirin izraelit në jug të Libanit që prej 8 tetorit, deri më tani kanë humbur jetën 3 civilë, 4 milici të Hezbollahut dhe 2 anëtarë të Lëvizjes Xhihadi Islamik Palestinez.

Tre ushtarë izraelitë humbën jetën në sulmet e kryera nga Libani.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme