Njësitet policore të rajonit të Prishtinës gjatë dy ditëve të fundit i janë përgjigjur mbi 100 rasteve të ndryshme , ku në gjashtë prej tyre policia ka konfiskuar armë dhe municion të kalibrave të ndryshëm.
Sipas njoftimit për media nga PK, rastet kanë ndodhur në lokacione të ndryshme, janë raportuar fillimisht si lëndim trupor, dhunë në familje, tentim vrasje e të ngjashme, ku më pas njësitet policore kanë kryer edhe bastisje dhe kanë arrit të gjejnë dhe konfiskojnë armë.
Në katër prej rasteve, në të cilat është përgjigjur stacioni policor i Veriut në Prishtinë janë konfiskuar katër armë si dhe municion i llojit dhe kalibrit të ndryshëm, gjithashtu janë shoqëruar në stacion policor, katër persona të dyshuar prej të cilëve një është dërguar në mbajtje (për veprat lëndim trupor dhe dhunë në familje), ndërsa tre të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.
Në dy rastet e tjera sulm fizik ( Hajvali) dhe tentim vrasje ( Fushë Kosovë), janë shoqëruar dy persona njëri prej të cilëve (për rastin tentim vrasje) është dërguar në mbajtje.
Ndaj gjashtë të dyshuarve përveç veprave në të cilat kanë marrë pjesë, ndaj tyre janë iniciuar edhe rastet Mbajtje ne pronësi, ne kontroll, ne posedim ose ne shfrytëzim të paautorizuar të armeve.
Që nga një janari i vitit 2017 deri sot nga njësitet policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë janë konfiskuar 218 armë, 1687 municione të llojit dhe kalibrit të ndryshëm, dhe janë iniciuar 224 raste Mbajtje ne pronësi, ne kontroll, ne posedim ose ne shfrytëzim të paautorizuar të armeve.