Policia e Kosovës ka përdorur armët për të ndalur dy persona që nuk i ishin bindur urdhrit të policisë dhe kishin bërë veprime të rrezikshme në rrugët e Prishtinës.
Sipas një njoftimi nga policia e Kosovës, rreth orës 16:30 dy të dyshuarit me veturën e tipit Citroen, me targa të falsifikuara, nuk i ishin bindur urdhrit të policisë për ndalje dhe ishin nisur vrullshëm në drejtim të “Kodrës së Trimave” në kryeqytet, duke rrezikuar vazhdimisht kalimtarët dhe policët.
Me të marrë këtë informatë, sipas njoftimit, policia ka bllokuar rrugën në “Kodrën e Trimave”, por vetura e dyshuar ishte futur në trotuar dhe kishte goditur një shtyllë dhe rrethojat e stacionit policor. Si rrjedhojë, policia thotë se e kishte parë si të domosdoshme që të gjuante në drejtim të gomave të automjetit në mënyrë që ta ndalte atë.
“Zyrtarët policorë duke marrë në konsideratë faktin se veprimet e të dyshuarit (ngasësit) përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë, potencialisht të rrezikshëm për qytetarët dhe jetën e tyre domosdoshmërish janë detyruar të përdorin armën e zjarrit me qëllim të neutralizimit të veprimeve të tilla të rrezikshme, duke shtënë në drejtim të gomave të automjetit”, thuhet në njoftim.
Lidhur me këtë rast policia ka arrestuar dy personat e dyshuar që ndodheshin ne automjet, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK pasi të njëjtit kanë pësuar lëndime nga aksidenti.