Policia spanjolle ka shkatërruar logjistikën e një prej bandave shqiptare më të rrezikshme në fushën e trafikut të drogës. Përmes dy operacioneve të Gardës Civile të Tarragonës janë shkatërruar mjetet të cilat përdornin trafikantët shqiptarë për të futur drogë përmes Costa Doradas për ta shitur më pas atë në vendet e Evropës.
Goditja ndaj bandës së drogës kulmoi kur policia zbuloi zhvendosjen e aktivitetit të tyre nga Andaluzia drejt brigjeve katalanase duke sekuestruar njëherësh 10 tonë drogë ndaj10 trafikantëve që drejtonin gjithë rrjetin ndërsa u vendosën në pranga 51 persona. Nga dy organizatat e shpërbëra, e para ishte e vendosur në deltën e Ebros duke e bërë më të lehtë për trafikantët e drogës lëshimin e varkave për të transportuar kanabisin nga Maroku. Shërbimet e tyre kërkoheshin nga trafikantët e shpërndarë në të gjithë Spanjën: nga Galicia në Extremadura, si dhe Andaluzia dhe Katalonia.
Ata jo vetëm që siguruan varkat, por edhe të gjithë logjistikën: nga karburanti te ushqimi. Madje ofruan shërbime sigurie për të anashkaluar mbikëqyrjen e policisë gjatë zbarkimit të drogës. Në operacionin e pagëzuar si ‘Maius’, agjentët arrestuan 19 persona në Algeciras dhe Tarragona, ku ndodheshin drejtuesit kryesorë të rrjetit.
Ndërsa në operacionin ‘Drift’, Garda Civile arrestoi trafikantin më të madh të hashashit në Katalonjë gjatë vitit të kaluar. Bëhet fjalë, për një person me origjinë shqiptare, me banim në qytetin Viladecans të Barcelonës, shkruajnë mediat spanjolle. Rrjeti që drejtonte shqiptari ishte përgjegjës jo vetëm për futjen e hashashit në Spanjë , por edhe për dërgimin e drogës në vende të tjera të Evropës duke trefishaur vlerën e tij në tregun e zi. Në këtë rast, ata i blenë varkat në Galicia dhe në Portugali.
Pasi i transportuan në Katalonjë, ata i përgatitën në një punishte, që ndodhej në Cambrils , ku kishin punësuar një mekanik detar, i cili ishte përgjegjës për përgatitjen e narko -skafeve për të mbërritur në Afrikën e Veriut për të marrë drogën. Gjatë hetimeve, policia spanjolle ka kapur katër raste të transportit të hashashit, dy në Tarragona, një në Alicante dhe një tjetër në Ibiza. Operacioni “Drift”, i cili përfundoi të martën e kaluar, ka rezultuar me 30 të arrestuar në Alicante, Tarragona, Barcelonë, Murcia dhe Ishujt Balearik, si dhe me ndalimin e pesë trafikantëve të drogës dhe më shumë se 5700 kg hashash.