Poligraf: Ilija Dimovski dezinformon se maqedonasit nuk vendosin për asgjë në Maqedoni

Ekspozojmë një dezinformatë nga politikani Ilija Dimovski, i cili pohon se maqedonasit nuk vendosin për asgjë në Maqedoni.

Më 21.02.2023, ish-deputeti Dimovski shkroi në Facebook se “Shumica e maqedonasve në Republikën e Maqedonisë janë të përjashtuar nga vendosja për çështjet kyçe shtetërore…” dhe se “shumicës së maqedonasve u mohohet e drejta për të vendosur për çdo gjë në Republikën e Maqedonisë..”. Disa portale e transmetuan Fejsbuk statusin, me titujt: “Dimovski: Maqedonasit nuk vendosin për asgjë në Maqedoni!”

Mirëpo, pretendimet e tilla nuk bazohen në fakte. Shumica e qytetarëve që dalin dhe vendosin në zgjedhje janë maqedonas etnikë. Përveç kësaj, shumica e deputetëve në Kuvend deklarohen si maqedonas etnikë dhe rregullisht vendosin për të gjitha çështjet kyçe shtetërore.

Ka shumë shembuj të vendimeve të Kuvendit dhe Qeverisë për identitetin kombëtar, gjuhën dhe kulturën maqedonase, siç është shpallja e Ditës së Gjuhës Maqedonase, apo vendimet për shënimin e shumë ngjarjeve historike dhe personaliteteve të rëndësishme për kulturën maqedonase.

Po ashtu, të kujtojmë se në miratimin e ndryshimeve kushtetuese me shumicë prej dy të tretash në vitin 2019, përveç deputetëve maqedonas të shumicës, morën pjesë edhe një pjesë e deputetëve maqedonas nga VMRO DPMNE-ja opozitare. Përveç kësaj, në shkurt të vitit 2020, deputetët maqedonas, si nga pushteti ashtu edhe nga opozita, votuan për ratifikimin e protokollit të anëtarësimit në NATO, kur 114 deputetë votuan “pro”, dhe nuk pati asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Dimovski ishte pjesë e kësaj përbërje parlamentare, e ishte edhe shef i delegacionit parlamentar të Maqedonisë së Veriut në Samitin Parlamentar të NATO-s në shkurt të vitit 2019.

Prandaj, pretendimet e Ilija Dimovskit se “maqedonasit nuk vendosin asgjë në Maqedoni” dhe se “Shumica e maqedonasve… janë të përjashtuar nga vendosja për çështjet kyçe shtetërore” i vlerësojmë si dezinformata.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme