Mediat shpesh transmetojnë informacione të pasakta nga udhëheqësit e Federatës Ruse. Kjo ndodhi edhe me dezinformatat e paraqitura nga presidenti rus Vlladimir Putin në intervistën me Taker Karlson.
Më 9 shkurt 2024, portali “Republika” e publikoi tekstin me titull: “Putin në intervistë për Taker Karlson: Ukrainasit ndjehen si rusë – populli rus do të bashkohet përsëri”. Në tekst theksohet pretendimi i Putinit se “ukrainasit ende ndjehen si rusë, e kjo që po ndodh është një element i luftës civile”.
Por, ky pohim nuk është i saktë. Shumica e ukrainasve nuk ndjehen si rusë as tani, e as kur Ukraina ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik. Për shembull, në regjistrimin e popullsisë të vitit 2001, mbi 37.5 milionë banorë ose 77.8% u deklaruan si ukrainas. Edhe sipas burimeve demografike ruse, në regjistrimin e popullsisë në vitin 1989 në Republikën Socialiste Sovjetike të Ukrainës mbi 37.4 milion u deklaruan si ukrainas, ndërsa në regjistrimin në BRSS në vitin e largët 1926, mbi 31 milion banorë u deklaruan si ukrainas.
Edhe pretendimet e Putinit për “luftë civile” janë manipulime. Në fakt, është Rusia ajo që ka kryer agresion ndaj Ukrainës, që u dënua me një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të 2 marsit të vitit 2022, për të cilën votuan 141 vende.
Kjo është vetëm një pjesë e dezinformatave të shumta të paraqitura nga Putini në intervistën me Taker Karlson, të cilat u ekspozuan nga më shumë kontrollues faktesh dhe nga mediat botërore. Fatkeqësisht, shumë media në vendin tonë nuk i përmbushën detyrimet e tyre profesionale, i transmetuan në mënyrë jokritike deklaratat e paverifikuara të Putinit dhe e dezinformuan publikun e tyre.