Bashkimi Evropian po përgatit udhërrëfyes të posaçëm për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Malit të Zi, Ukrainës, Moldavisë dhe Shqipërisë. Maqedonia e Veriut, për momentin, nuk është në mesin e vendeve që pritet t’i marrin këto plane.
Sipas “Politico”, Komisioni Evropian synon t’u ofrojë katër vendeve që konsiderohen kandidatët më të avancuar një rrugë më të qartë drejt anëtarësimit. Planet pritet të përmbajnë prioritete konkrete, reforma që duhet të zbatohen dhe afate orientuese për përfundimin e fazave të caktuara të negociatave.
Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, në këtë fazë, nuk do të përfshihen në këta udhërrëfyes. Kjo nënkupton se Brukseli aktualisht po i orienton mekanizmat e rinj drejt kandidatëve që kanë shënuar përparimin më të madh, ndërsa vendet e tjera do të vazhdojnë me procesin ekzistues të anëtarësimit.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kishte paralajmëruar në shtator se Brukseli do të propozonte udhërrëfyes për kandidatët që kanë avancuar më shumë. Ajo theksoi se zgjerimi do të vazhdojë të bazohet në rezultatet e arritura dhe respektimin e vlerave evropiane.
Komisioni Evropian thekson se ritmi i anëtarësimit varet nga zbatimi i reformave, veçanërisht në fushën e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore.
Maqedonia e Veriut vazhdon të ketë statusin e vendit kandidat, ndërsa ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve mbeten kusht për avancimin në procesin negociues.



