Koment nga Sakte.net
Foto: Zëri
Pas zgjedhjeve parlamentare të viti 2014, Kosova mbeti pa qeveri me muaj të tërë, sa shkaku i grindjeve ndërpartiake po aq edhe ngaqë interesat personale të drejtuesve partiak ishin vënë mbi ato të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës. Dhe pasi më në fund u bë koalicioni qeverisës mes atyre që vendin e kanë shndërruar thuajse në pronë të veten, Kosova e jetoi periudhën e demokratizimit të saj nëpërmjet bombave lotësjellëse dhe me një kuvend ku kishte çdo gjë, përpos debatit demokratik.
Sot, pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, Kosova nuk mund të arrinte më larg se aty ku arrijnë shtetet ku thuajse çdo gjë varet nga përballja e ‘kumbarëve’ që i kontrollojnë ‘mëhallat’ e veta partiake. Dhe të cilët janë duke e tërhequr zvarrë Kosovën e sotme duke mos e fshehur fare se shteti janë ata, se ata e përcaktojnë fatin e Kosovës, e jo Kosova fatin e tyre.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014, Kosovën e flijuan partitë, Gjykata Kushtetuese dhe thuajse të gjitha institucionet e saj, duke u angazhuan që ‘sheikët’ partiak të mos mbeten pa pushtet. Dhe banorët e një shteti që nuk ekziston shkaku i tyre, por vetëm sa të kenë politikanët ku të bëhen burrështetas, nuk mund të arrijmë më larg se aty ku ndodhen sot qytetarët e Kosovës! E, kosovarët sot përballen me të vërtetën se të gjithë ata janë argatë të partive, të atyre partive që e shpikën edhe perversitetin demokratik se nuk është vendimtare shumica parlamentare për t’i zgjedhur drejtuesit e shtetit, por partia që ka fituar më shumë vota gjatë zgjedhjeve!
Kosova sot, njësoj si pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014, mundohet ta shpëtojë vetveten nga kthetrat e politikanëve që atë e shohin si pronë të vetën. Të shpëtojë nga ata që e bënë të pabanueshme për rininë dhe e shndërruan në ‘inkubator’ që i rritë të lindurit e vet, të cilët pastaj i popullojnë vendet e Perëndimit.
Kosova rropatet të shpëtojë nga drejtuesit partiak të cilët janë duke e çuar rrugës që një ditë të mbetet vetëm me burrështetasit e saj dhe familjarët e tyre. Me çka do bëhet edhe më e dukshme se Kosova është bë pronë e ‘sheikëve’ partiakë, e atyre që duke u marr me politikë, u pasuruan po aq sa edhe sheikët që kanë në pronë puse naftësjellëse, apo edhe sa kapitalistët perëndimorë, që kanë trashëguar kompani me përmasa globale./Sakte.net