Politikanët urojnë besimtarët për Kurban Bajram

Gazetare: Ajnur Bafqari

Krerët shtetërorë dhe përfaqësuesit e subjekteve politike në vend, dërguan urime me rastin e festës së Kurban Bajramit. Presidentja e vendit Gordana Siljanovska Davkova ka nënvizuar mes tjerash se kjo festë e thekson bamirësinë, dhurimin dhe solidaritetin, duke na frymëzuar për vepra humane.

“Të dhurojmë dhe të ndihmojmë, të jemi mbështetja e njëri-tjetrit, së bashku në të mirë dhe të keqe, pa dallim feje, etnie, gjinie apo çfarëdo përkatësie dhe të punojmë për prosperitetin e atdheut tonë dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve”, tha Gordana Siljanovska Davkova, Presidente e RMV-së.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, thotë se Kurban Bajrami është ndër festat më kuptimplota që flet për gatishmërinë e njeriut për të flijuar më të dashurin, për një premtim dhe një vlerë të përtejme.

“Uroj që kjo festë t’ju ketë gjetur pranë sofrave familjare, duke i uruar e duke i përqafuar të dashurit tuaj, duke u kujdesur për nevojtarët e duke u solidarizuar me ata që nuk kanë nevojë vetëm për bukë, por edhe për buzëqeshje”, theksoi Afrim Gashi, Kryetar i Parlamentit.

Kryeministri Teknik, Talat Xhaferi ka uruar për shëndet, zemërgjerësi dhe solidaritet.

“Krahas lutjeve, të gjithë së bashku të bëjmë atë që kemi mundësi për të siguruar paqe, mirëqenie dhe jetë të sigurt për ato që në këtë kohë janë të prekur nga luftërat, sëmundjet dhe fatkeqësitë natyrore”, u shpreh Talat Xhaferi, Kryeministër Teknik.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, dhe mandatari për kryeministër, Hristijan Mickoski ka shkruar se kjo festë është një përkujtues i ekzistencës njerëzore dhe rëndësisë së madhe të besimit, mirëkuptimit dhe tolerancës së ndërsjelltë si kushte esenciale për bashkëjetesë dhe paqe.

“Ju ftoj të gjithëve të fillojmë së bashku, duke i tejkaluar bashkërisht të gjithë problemet, që ta ndërtojmë Maqedoninë mbi vlerat dhe parimet evropiane. Ka ardhur koha që së bashku të ndërtojmë themele më të forta për një jetë më të mirë standard për çdo qytetar pa dallim etnie apo feje përkatësinë, themelet për zhvillimin dhe prosperitetin e vendit tone”, tha Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Mesazhe për paqe, solidaritet, tolerancë e mirëqenie ekonomike kanë përcjellë të gjithë krerët e partive politike në vend, Arben Taravari i Alencës për Shqiptarët, Ali Ahmeti i BDI-së, kreu i Alternativës, Bekim Sali dhe të tjerë./Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme